Mali i Zi

Shefja proserbe e delegacionit të Malit të Zi në APKE: Do të votoj kundër pranimit të Kosovës në KiE

Shefja e delegacionit malazez në APKE, e njohur si proruse dhe proserbe, Maja Vukiçeviq, ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se do të votojë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, transmeton tablodi serb në shërbim të regjimit të Vuçiqit, “Alo”.

Ajo ka thënë se “ky do të jetë një vendim politik dhe nëse Kosova do të pranohet në KE, do të krijohet një precedent serioz, sepse do t’i hapte rrugë territoreve të tjera kontestuese që të kërkojnë anëtarësim në institucionet ndërkombëtare”.

“Këshilli i Evropës është një aleancë e shteteve dhe nuk ka konsensus në skenën ndërkombëtare nëse Kosova është shtet. Kosova nuk njihet si shtet “nga gjysma e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, shtetësia e Kosovës ka nuk është njohur nga pesë vende të Bashkimit Evropian, kështu që do të ishte vërtet një precedent serioz që të bëhet pranimi i Kosovës dhe mendoj se do të hapte probleme në vetë Këshillin. Nuk mund të them se si do të jetë rezultati përfundimtar i votimit, sepse fjalën përfundimtare për pranimin e ka ende komisioni i ministrave, i cili deklarohet pas Kuvendit, dhe aty votojnë përfaqësuesit e qeverive, më saktë ministrat e jashtëm”, thotë Vukiçeviq e cila është avokuese e politikave destruktive të Rusisë dhe Serbisë, transmeton Paparaci.

Ajo ka përsëritur se sot do të votojë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Siç kam paralajmëruar edhe më herët, do të votoj kundër, sepse pranimi i Kosovës do të ishte precedent serioz, e vërteta është se nga momenti që u njoftua se do të votoj kundër, unë kam qenë cak i sulmeve që vijnë nga Kosova, por fatkeqësisht edhe nga mbështetësit e Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi, një sjellje e tillë e tyre flet më së miri për ta“, thotë Vukiçeviq.

Ajo ka deklaruar se ende e ka “mbështetjen më të madhe nga qytetarët e Malit të Zi” dhe për këtë është mirënjohëse ndaj tyre.

“Ajo që është gjithashtu interesante është se asnjë nga subjektet politike nuk ka reaguar ndaj kërcënimeve të drejtuara ndaj meje, gjë që flet shumë për standarde të dyfishta, sepse në të kaluarën ka pasur mundësi të reagohet ndaj komenteve shumë më të padëmshme”, ka shtuar Vukiçeviq.

Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mbajë sot, më 27 mars, një diskutim për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë pan-evropiane, si dhe votimin për miratimin e raportit të raportueses kryesore për pranimin e Kosovës, Dora Bakoyannis.

VIDEO BONUS: