Shefja e deputetëve të VV’së: Kam bindje tjetër për pjesëmarrjen në zgjedhjet në Shqipëri

Ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është deklaruar rreth zgjedhjeve në Shqipëri dhe pjesëmarrjes së VV’së në këto zgjedhje.

E pyetur për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, Kusari-Lila ka deklaruar se ka qëndrim tjetër nga ai i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ky është një aspekt për të cilin Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një vendim, pjesë e të cilit nuk jam për faktin se kam një bindje tjetër në raport me pjesëmarrjen në zgjedhje…”, ka deklaruar Kusari-Lila në Abc news.

Ajo tutje ka deklaruar se megjithëse posedon pasaportën e Shqipërisë, nuk e di ende a do të votojë në zgjedhjet atje.

“Megjithatë, unë mbaj edhe pasaportën e Shqipërisë, asnjëherë deri më tash nuk kam marrë pjesë në procesin zgjedhor, nuk e di ende nuk kam vendosur, sepse nuk i kam përcjellur kandidatët në fushatë, por gjithsesi se nga kjo anë e kufirit ju uroj më të mirën të gjithë shqiptarëve”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.