Zahir Tanin

Shefi i UNMIK-ut thotë se për sigurinë në Kosovë kujdeset vetëm KFOR-i

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, merr parasysh miratimin e tri ligjeve nga Kuvendi i Kosovës, përmes të cilave iniciohen ndryshimet substanciale të rolit dhe përgjegjësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas deklaratës së UNMIK-ut, Tanin i referohet Rezolutës 1244 të KSKB-së, përmes së cilës i jepet përgjegjësia pranisë ndërkombëtare të sigurisë, gjegjësisht Forcës së Kosovës (KFOR), për ruajtjen e mjedisit të qetë dhe të sigurt në Kosovë, transmeton kp.

“Kjo Rezolutë vazhdon të ofrojë kornizën e vetme juridike për praninë ekzistuese ndërkombëtare të sigurisë”, thuhet në deklaratë.

PSSP-ja inkurajon të gjitha palët të përmbahen nga veprimet që do të mund t’i rrisnin tensionet dhe që të gjitha çështjet të trajtohen përmes dialogut politik.