Shefi i UNMIK-ut pas deklaratave të Vuçiq: Serbia po mundohet që t’i shtrembërojë ngjarjet e dhimbshme historike

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili masakrën e Reçakut e ka quajtur ‘trillim të sajuar nga Walker’.

Përmes një komunikate, të lëshuar nga UNMIK, Tanin ka kërkuar që të balancohet liria e shprehjes me përgjegjësinë politike.

“Tanin shpreh shqetësim serioz për përpjekjet për të shtrembëruar ngjarje të dhimbshme historike. Ai gjithashtu thekson në terma më të fortë nevojën e domosdoshme për një gjyqësor të pavarur pa paragjykime politike dhe / ose etnike”, thuhet në komunikatë.

Sipas tij liria e shprehjes, nuk duhet të jetë në kundërshtim me përgjegjësinë politike që kanë zyrtarët.

“Ai kujton rëndësinë parësore të së drejtës për lirinë e mendimit dhe shprehjes siç përcaktohet në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe vëren se kjo e drejtë e fuqishme nuk duhet të jetë në kundërshtim me përgjegjësinë politike të zyrtarëve për të ndjekur ligjërimin që mbron besimin e ndërsjellë dhe respekt”, thuhet tutje në reagim.

Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka reaguar pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut duke thënë se dënimi i tij është i frikshëm.

“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Ëalker, një mashtrues”, tha Vuçiq para gazetarëve, raporton b92.

Pas kësaj deklarate të Vuqiq ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë e cila ka kërkuar kujdes në gjykimet në lidhje me deklaratat që jepe për Masakrën e Reçakut.