Michael Davenport

Shefi i OSBE-së mirëpret vendimin e KQZ-së për caktimin e datës së votimit për largimin e kryetarëve shqiptarë nga katër komunat veriore

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport e ka mirëpritur vendimin e KQZ-së për verifikimin e nënshkrimeve të dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut dhe caktimin e 21 prillit si datë për votimet për largimin e kryetarëve shqiptarë në këto komuna.

Ai tha se ky është një vendim i mirëpritur, teksa shtoi se tash është e rëndësishme që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe transparente.

“Tani është e rëndësishme që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe transparente”, tha ai.

Kryetarët aktualë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat i ka bojkotuar komuniteti serb.

Procesi i votimit për largimin nga detyra të një kryetari komune, është shpjeguar në udhëzim administrativ të MAPL. Votimi për këtë çështje duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.