Shefi i NATO-s përshëndet marrëveshjen për lëvizje të lirë, ka një porosi për Kurtin dhe Vuçiq

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka përshëndetur marrëveshjen për lëvizje të lirë në mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Stoltenberg ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të gjitha çështjet t’i zgjidhin përmes dialogut politik.

Ai gjithashtu porositi që NATO/KFOR, mbetet vigjilent.

“E mirëpres marrëveshjen e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë i inkurajoj të dy, Vuçiq dhe Kurtin për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura përmes dialogut politik. NATO/KFOR mbetet vigjilente”,shkroi Stoltenberg.

Ndryshe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka theksuar dje se është arritur një marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”- ka shkruar Borrell në Twitter.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Borrell tha gjithashtu se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.