Shefi i GP të AAK-së: Kosovës i duhet një president burrështetas, Haradinaj është i duhuri

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, në emisionin Argument Plus, në RTV21, deklaroi se nuk sheh opsion tjetër për postin e presidentit përveç kreut të saj Ramush Haradinaj.

“Ne e kemi bërë një opsion dhe që besojmë se është i mirë. Kemi vlerësu se president duhet të jetë një burrështetas, siç ishte rasti për formimin e ushtrisë. Presidenti duhet të garantojë sovranitetin dhe integridetin terriotal të shtetit”, theksoi Haradinaj.

Ai tutje tha se kur është në pyetje shteti, AAK-ja nuk i ka shikuar interesat partiake, andaj Haradinaj paraqet një figurë unifikuese. Ai gjithashtu tregoi se a e ka përkrahjen e partive tjera politike. “Jemi në bashkëpunim me partitë e tjera. Duhet të jenë 80 deputetë për ta votuar dhe jemi duke biseduar me të gjitha partitë politike në Kosovë”, u shpreh tutje.

Ai bëri të ditur gjithashtu se e ka marrë mbështetjen e një numri të konsiderueshëm deputetësh dhe se, siç thotë ai, PDK-ja ia ka borxh votën për postin e presidentit.