Bojan Dimiq e kishte shpërndarë për miqtë e tij në rrjetin social Facebook një fotografi të Hashim Thaçit dhe Veselit përkrah imazhit të gjeneralit kroat Sllobodan Prljak duke pirë helm në Hagë.

Dimiq, shef i BIA-s serbe për Kosovë, është protagonist i një audio-incizimi të publikuar të hënën nga Paparaci. Aty dëgjohet duke folur me një shqiptar të Kosovës për shkuarjen në Hagë të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Për Dimiqin, Ballkani.info ka shkruar qysh në fillim të vitit 2019. Dimiqit nuk i kishte pëlqyer raportimi i Ballkani.info në të cilin ishte shpjeguar roli i tij në disa aktivitete në veri të vendit.

Dimiq në profilin e tij në Facebook kishte shpërndarë raportimin e Ballkani.info duke shfaqur edhe pretendime të rrejshme se kinse e ka vizituar Prishtinën, por në fakt kishte shpërndarë foto të vjetra.

Aso kohe, Dimiq ishte dekorua nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, gjoja për shkak të meritave që i ka.

E vërteta është se, ashtu si në Facebook, Dimiq sajonte raporte inteligjente të rreme për shefin e tij – Vuçiqin.

Reagimi i Dimiqit ndaj Ballkani.info kishte ardhur pas raportimit tonë se shërbimit sekret serb po i mungont Milan Radojçiqi!

Raportimi i Ballkani.info në vitin 2019 për Bojan Dimiqin:

I arratisur nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, Milan Radojçiqi fshihet diku në Serbi.

Ai është akuzuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Me arratinë e tij, Radojçiqi mund ta vonojë zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit, gjë që i shkakton drejtësisë kosovare hendikep, mirëpo nga kjo arrati ka filluar të ndjehet fryma e lirisë te serbët e Kosovës, pavarësisht mendimit të tyre politik.

Serbët e Kosovës, varësisht përcaktimeve të tyre politike, po flasin! Ata nuk kanë folur. Gojën e patën mbyllur për shkak të frikës që e kishin nga Milani. Tash në Kosovë, përveç se ata flasin, kanë marrë guximin që edhe të ngritën në protesta kundër Vuçiqit.

Një protestë në Mitrovicë, dhe një tjetër në Graçanicë u shënuan kundër Aleksandar Vuçiqit dhe instrumentit të tij politik – Listës Srpska. Këtë gjë pak kush e ka pritur se do të ndodhë së shpejti. Veçmas kur kemi parasysh se për një përcaktim më ndryshe sesa përcaktimet e Vuçiqit, serbët e Kosovës kërcënoheshin, sulmoheshin në forma të ndryshme (u digjeshin automobilat, shtëpitë), por edhe vriteshin fare.

Vet Oliver Ivanoviqi u vra sepse i doli përballë Listës Srpska. Ai e tha vet pak para se të vritej, se ishte kërcënuar. Vrasja e Oliverit ua hapi sytë serbëve. I bëri më të vetëdijshëm. Vrasja e Oliverit i nxori zërat e disa politikanëve të venitur serbë. Reaguan dhe e thanë se adresa e atij që e kishte nxitur vrasjen ishte Beogradi. Përveç Oliverit të ndjerë që e kishte përmendur Milan Radojçiqin, edhe disa të tjerë filluan ta përmendin atë si shef të nëntokës. Serbët fillimisht nuk u pajtuan me aktet e tilla vrastare, por sot tashmë po organizohen me protesta kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, shkruan Ballkani.info.

Duke shikuar nga një prizëm më i gjerë, po del se Milan Radojçiqi paska qenë njeriu kryesor i diktatit të Vuçiqit. Natyrisht se Milani është menaxhuar nga shërbimi sekret serb (BIA apo shërbimi ushtarak VOA), i cili plotësisht pastaj menaxhohet nga koka politike e Serbisë.

Prej kur mediat raportuan për Bojan Dimiqin si njëri nga drejtorët e BIA-s së Serbisë, redaksia ka hulumtuar më shumë për të. Gjatë hulumtimit, pashmangshëm është evidentuar edhe profili i tij në rrjete sociale. Përveç konfirmimit nga institucionet tona të sigurisë se ky profil është origjinal, argument tjetër për origjinalitet janë edhe fotografitë që i ka postuar aty. Foto të ndryshme, të tijat, të familjes dhe të shoqërisë, dhe të aktivitetit. Çudi sa ka amatorizëm prej një drejtori të BIA-s.

Mirëpo, ky hulumtim nuk është bërë për ta treguar amatorizmin e tij si punonjës i inteligjencës. Gjëja tjetër çudit janë postimet e tij plot vrer ndaj opozitës serbë në Serbi dhe ndaj serbëve që nuk i nënshtrohen pushtetit në Serbi e të cilët jetojnë në Kosovë. Përqeshte protestën në Graçanicë; përqeshte opozitën në Serbi. Villte në veprimtarinë e tyre, duke u quajtur tradhtarë, e si jo ndryshe!

Drejtori i BIA-s, përveç tjerash përkrah ende Millosheviqin, në kohën e të cilit në fakt është punësuar aty. Nga një zyrtar kaq i lartë i sigurisë së Serbisë, kuptohet se ai ishte prorus. Jo vetëm kaq, Dimiçi përkah edhe protestat e diktatorit të Venezuelës.

Nga e gjithë kjo nënkuptohet se, Bojan Dimiqi paska qenë ai që e ka udhëzuar Milan Radojçiqin, porse tash kur nuk e ka atë që ta “urtësojë” opozitën serbe si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, nuk mund të qëndrojë pa shprehur mendimin dhe urrejtjen, e edhe kërcënimin në rrjete sociale!

Nuk dihet nëse në këtë rast vlen fjala popullore shqipe se “Qeni që leh nuk të kafshon!”? Por, Dimiqi nuk fliste fare për opozitën serbe gjatë kohës sa e kishte Milanin këtej! Milani me një SMS kërcënues, apo me një porosi tjetër, ua mbyllte gojën gjithë kritikëve të Vuçiqit.

Tash, kur Dimiqi nuk ia mbyll gojën askujt, ka filluar ta hapë vet!

Kjo gjë e dëshmon edhe një fakt: edhe pse Milan Radojçiqi nuk gjendet para drejtësisë kosovare, arratisja e tij nga aktakuza që iu ka ngritur, paska mjaftuar që të ndalen kërcënimet ndaj serbëve që mendojnë ndryshe nga Vuçiqi si shef dhe Dimiqi i BIA-s si organizator!

Prej këtu arrihet edhe një përfundim, i cili rezulton se kjo është veçse një shkollë e vjetër, por e rrezikshme ruse. Kur shterohen mundësitë e veprimeve që krijojnë bindje, atëherë duhet ngritur pluhur, gjë e cila e dekonspiron në tërësi planin e një “ariu plak” siç është Rusia. Pra, nëse pushteti në Serbi ka një shkollë ruse, atëherë mund të konkludohet se ai nuk e ka gjatë. Propaganda e tyre, megjithëse është e dëmshme, mbetet vetëm propagandë! /Ballkani.info/