Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që po mbahet në Dubai.

Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e mbështetën 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 abstenuan. Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.

Ndërkohë që Kosova ka dështuar, INTERPOL në faqen zyrtare ka njoftuar se Asambleja e Përgjithshme ka votuar për anëtarësimin e dy vendeve të reja, Kiribati dhe Vanuatu, të cilat janë tashmë anëtare të kësaj organizate. INTERPOL tani numëron 194 shtete anëtare.

Pas përfundimit të ruandit të parë të votimit, ku votat munguan, tri vende mike të Kosovës u munduan që në votimin e dytë ta kthejnë gjendjen në favorin tonë, mirëpo fatkeqësisht as në këtë raund nuk pati përmirësim.

Ballkani.info merr vesh se ndërmjet dy votimeve, ishin tri shtete që lobuan shumë. SHBA, Turqia dhe Britania e Madhe ishin shtetet që më së shumti u angazhuan për Kosovën.

“Këto shtete jo vetëm sot, por edhe në ditët në paraprake janë angazhuar shumë që Kosova t’i merr votat e mjaftueshme për anëtarësim. Pas pauzës nga votimi i parë, delegacionet e SHBA-vë, Turqisë dhe Britanisë së Madhe bënë përpjekje maksimale që të siguroheshin votat në votimin e dytë”, ka thënë një burim i Ballkani.info.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional. /Ballkani.info/