Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhduar të këmbëngulin se formimi i Asociacioni në Kosovë është i domosdoshëm.
Kjo gjë është theksuar edhe në një përgjigje të fundit të dhënë ekskluzivisht për lajmi.net,pas dorëheqjeve të shumta nga serbët në kuadër të institucioneve të Kosovës.
Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mosformimi i komunave me shumicë serbe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në teren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e qytetarëve dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, u tha në përgjigjen e ambasadës.
Gjithashtu është thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen BE-së, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet et yre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës, për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë këtu policinë, gjyqësorin si dhe administratat lokale.
“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të dialogut.Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM)”, u tha nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
Nga kjo ambasadë u tha po ashtu se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të krijohet.
“Gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”,theksohet tutje.
Kurse nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u tha se është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Madje sipas SHBA-ve, veprime të ngjashme si djegia e makinave, ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë thirrje që të zgjidhet rruga e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe në konfrontim.
“Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat”.
Tutje u tha se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Pas vendimit për largimin e targave ilegale nga automjetet që drejtohen nga serbët në Kosovë dhe ri-regjistrimin e tyre në RKS, shpesh herë në veri pati edhe djegie të veturave, e objekteve të ndryshme të serbëve që ndërruan këto targa.
Por mospajtimet e serbëve me këtë marrëveshje shkuan edhe më larg. Të njëjtit vendosën të largoheshin nga të gjitha institucionet drejtuese në Kosovë, teksa rreth 300 zyrtarë policorë raportohet të kenë paraqitur tashmë dorëheqjet e tyre në stacionin policor në veri të Mitrovicës.
Kurse kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës nuk mund të komprometohen, ndërsa dialogu dhe institucionet nuk kanë alternativë.
Ai po ashtu ka përsëritur thirrjen e tij që të mos bojkotohen ose braktisen institucionet e Kosovës, të cilat shërbejnë çdonjërit pa dallim.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit, respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe pakicave, barazi, shërbim ndaj qytetarëve, paqe dhe siguri”.







