Zhvillime të shumta pati gjatë tri ditëve të fundit në Kosovë. Si shkak i mospajtimeve për ndryshimet në kuadër të marrëveshjes për targat, serbët vazhduan të dorëhiqen nga pjesëmarrja e tyre në drejtimin e institucioneve të Kosovës.

Nga Lista Serbe dje u konfirmua largimi nga institucionet e Kosovës, një ditë pasi është bërë shkarkimi i drejtorit të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq.

Lidhur me gjithë këto zhvillime, lajmi.net ka kontaktuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Një nga zëdhënësit e kësaj ambasade ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në teren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e qytetarëve dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, u tha në përgjigjen e ambasadës.

Po ashtu u theksua se prandaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen BE-së, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës, për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë këtu policinë, gjyqësorin si dhe administratat lokale.

“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të dialogut.Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM)”, u tha nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Nga kjo ambasadë u tha gjithashtu se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të krijohet.

“Gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”,theksohet tutje.

Njëashtu u tha se sa i përket mesazhit drejtuar lidershipit kosovar dhe atij serb, është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar”.

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë thirrje që të zgjidhet rruga e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe në konfrontim.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat”.

Nga Ambasada e Amerikës është shtuar se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndryshe në veri të vendit situata vazhdon të jetë mjaftë shqetësuese, derisa zyrtarët policorë serbë po vazhdojnë të paraqesin dorëheqjet e tyre si dhe të bëjnë dorëzimin e pajisjeve policore.