ShBA-ja thotë se droni i rrëzuar në Detin e Zi mund të mos nxirret kurrë

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Joh Kirby, ka thënë se droni i tipit MQ-9, i cili është rrëzuar në Detin e Zi pas një incidenti me aeroplanë rusë, nuk është nxjerrë nga uji dhe mund të mos nxirret kurrë.

“Nuk është nxjerrë. Nuk jam i sigurt që do të mund ta nxjerrim. Aty ku ka rënë, në Detin e Zi, uji është shumë, shumë i thellë. Prandaj ende jemi duke vlerësuar nëse mund të ketë ndonjë lloj përpjekjeje për nxjerrje. Mund të mos ketë”- tha Kirby në një intervistë për televizionin CNN.

“E bëmë më të mirën që mundëm për të minimizuar çfarëdo vlere të inteligjencës që mund të vijë nga rënia e dronit në duart e ndokujt tjetër”, shtoi ai.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së e ftoi në takim ambasadorin rus, Anatoly Antonov, për ta shprehur shqetësimin për incidentin – i pari rast i ballafaqimit të drejtpërdrejtë mes dy fuqive botërore që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë i thanë ambasadorin rus se Moska duhet të jetë më e kujdesshme, kur drejton aeroplanë në hapësirë ajrore ndërkombëtare.

“Porosia që ne ia dhamë ambasadorit rus është që ata duhet të jenë më të kujdesshëm gjatë fluturimit në hapësirë ajrore ndërkombëtare afër aseteve të ShBA-së, të cilat janë, përsëri, duke fluturuar në mënyrë tërësisht ligjore, duke kryer misione në përkrahje të interesave tona të sigurisë kombëtare”- thuhet në një deklaratë.