Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një draft-rezolutë rivale në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim të përkohshëm në luftën Izrael – Hamas dhe për të kundërshtuar një ofensivë të madhe tokësore nga aleati Izraeli në Rafah, sipas tekstit që e ka parë agjencia “Reuters”.
Kjo lëvizje vjen pasi ShBA-ja sinjalizoi se do të bllokonte me veto të martën një draft-rezolutë të paraqitur nga Algjeria, me të cilën kërkohet armëpushim i menjëhershëm humanitar, për shkak të shqetësimit se ky dokument mund t’i rrezikojë bisedimet mes Shteteve të Bashkuara, Egjiptit, Izraelit e Katarit, me të cilat synohet që të ndërmjetësohet një pauzë në luftime dhe lirimi i pengjeve që po mbahen ende nga Hamasi, raporton agjencia “Reuters”.
Deri më tani, Uashingtoni ka qenë kundër fjalës “armëpushim” në çfarë veprimi të OKB-së ndaj luftës Izrael – Hamas, por në tekstin e draft-rezolutës amerikane u jepet jehonë fjalëve të presidentit Joe Biden javën e kaluar në bisedat e tij me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në draftin amerikan thuhet se Këshilli i Sigurimit“e nënvizon përkrahjen e tij për një armëpushim të përkohshëm në Gaza sa më shpejt që është i zbatueshëm, duke u bazuar në formulën e lirimit të të gjitha pengjeve, dhe bën thirrje për heqjen e të gjitha pengesave për ofrimin e asistencës humanitare në shkallën [e nevojshme]”.
Shtetet e Bashkuara “nuk planifikojnë që të nguten” për votim dhe synojnë që të lejojnë kohë për bisedime, tha të hënën një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke folur në kushte anonimiteti.
Për t’u miratuar, një rezolutë duhet të ketë të paktën nëntë vota “për” dhe asnjë veto nga ShBA-ja, Fra,ca Britania, Rusia ose Kina.
Në draft-rezolutën e ShBA-së “përcaktohet se nën rrethanat e tanishme, një ofensivë e madhe tokësore në Rafah do të rezultonte në më shumë dëm ndaj civilëve dhe zhvendosjen e tyre të mëtejme, përfshirë potencialisht në shtetet fqinje”.
Izraeli planifikon që ta sulmojë qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë po kërkojnë strehim, duke nxitur shqetësim ndërkombëtar se një aksion i tillë do ta përkeqësonte në masë të konsiderueshme krizën humanitare në enklavë. OKB-ja ka paralajmëruar se ky sulm “mund të çojë në masakër”.
Në draft-rezolutën e paraqitur nga ShBA-ja thuhet se një veprim i tillë “do të kishte ndërlikime serioze për paqen dhe sigurinë rajonale, dhe prandaj një ofensivë e tillë e madhe tokësore nuk duhet të vazhdojë përpara në rrethanat e tanishme”.
Uashintoni tradicionalisht e mbron Izraelin nga veprimet e OKB-së dhe dy herë ka bllokuar me veto rezoluta të Këshillit të Sigurimit nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, i cili e nxiti luftën më pas. Megjithatë, ShBA-ja gjithashtu ka abstenuar dy herë, duke e lejuar organin e rëndësishëm ndërkombëtar që të miratojë rezoluta që e kanë për qëllim shtimin e ndihmave në Gaza dhe me të cilat bëhet thirrje për pauza të gjata në luftime.







