Milan Radoiçiqi

SHBA-ja pret që Serbia ta përmbushë zotimin për gjykimin e Radoiçiqit, Biserko s’e beson këtë

Deklarata e diplomatit amerikan James O’Brien, se Serbia është zotuar se do ta gjykojë Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjskë, shtatorin e vitit të kaluar, ka zgjuar vëmendje të madhe. Por Sonja Biserko që drejton Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut tha se Radoiçiqi edhe nëse gjykohet në Serbi, do të lirohet, pavarësisht se ka kryer sulm terrorist

Ai në Forumin e Dubrovnikut, të shtunën, që është organizim i përvitshëm i Ministrisë kroate të Punëve të Jashtme dhe e Çështjeve Evropiane, tha se SHBA-ja pret që zotimi të përmbushet.

“SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë thënë se krimet e kryera në shtator duhet të ndëshkohen. Presim dhe besoj se na është premtuar se zoti Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive”, ka deklaruar O’Brien.

Por Sonja Biserko, që udhëheq Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, nuk pret që Serbia ta dënojë Milan Radoiçiqin dhe pjesën tjetër të grupit terrorist, e aq më pak t’ia dorëzojë Kosovës. Sipas saj, Serbia po pret ndryshim të rrethanave ndërkombëtare sa i përket çështjes së Kosovën, duke shpresuar se ato ndryshime do të jenë në favor të saj. Theksoi se Radoiçiq është njeri i lidhur fort me politikën dhe institucionet serbe.

“Kjo është deklarata e parë zyrtare e James O’Brian që ka mandat për t’i zgjidhur çështjet e Ballkanit në një mënyrë si të themi, më rrënjësore…Mendoj se tani kjo deklaratë nuk ndryshon diçka… e ky premtimi se do të ndiqet penalisht. Unë kam frikë që do të ndiqet penalisht e më pas do të lirohet. Pikë së pari, ai është bashkëpunëtor me rëndësi i presidentit, shpesh e shohim nëpër institucione shtetërore në Beograd dhe sigurisht ai mund të dijë shumë për presidentin dhe njerëzit që ai i ka përreth”, është shprehur Biserko.

Çështjen e pandëshkueshmërisë së Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij e ngriti edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, që po ashtu mori pjesë në këtë forum.

E i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se “nuk ka imunitet për ta” dhe se BE-ja e ka bërë të qartë se të gjithë ata që janë përfshirë në sulmin ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, duhet të mbahen përgjegjës. Për këtë, sekretari i Ministrisë së Jashtme të Serbisë nuk dha garanci se grupi që u trajnua në poligonet e ushtrisë serbe dhe që përdori amët e kësaj ushtrie do të gjykohet.

Analisti amerkan Daniel Serwer ka shtruar nevojën e riformatimit të dialogut, meqë ka shprehur mendimin se formati aktual nuk ka prodhuar rezultate. Ai e ka vlerësuar të papranueshme se si nuk janë dorëzuar ende në Kosovë kryerësit e sulmit në Banjskë.