Departamenti i Shtetit

SHBA-ja gjatë vitit 2023 shiti armë në vlerë prej 238 miliardë dollarëve

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se gjatë vitit 2023 ka shitur armë në vlerë rekorde dhe madje 56 për qind më shumë sesa në vitin 2022

Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë vitit 2023 kanë shitur armë në shifra rekorde prej 238 miliardë dollarëve.

Kërkesa për armatimin amerikan është rritur pas luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Qeveria amerikane ka negociuar direkt me 81 miliardë dollarë shitje dhe kjo është 56 për qind më shumë sesa në vitin 2022, ka njoftuar Departamenti i Shtetit.

Pjesa tjetër e shitjeve janë realizuar nga kompanitë amerikane të mbrojtjes me shtetet e tjera.

Blerësja më e madhe e armëve amerikane është Polonia, e cila ka nisur zgjerimin e ushtrisë së saj.

12 miliardë dollarë i ka shpenzuar për blerjen e helikopterëve “Apache”, ndërkaq 10 miliardë të tjera për reaketat “Himars”. 3.5 miliardë dollarë i ka ofruar për blerjen e tankeve “Abrams”.

Shteti polak gjithashtu do të shpenzojë 4 miliardë dollarë në blerjen e sistemeve të avancuara ajrore.

Edhe Gjermania ka shpenzuar 8.5 miliardë dollarë për të blerë helikopterë amerikanë.

Ndërkaq Republika Çeke ka shpenzuar 5.6 miliardë dollarë për të blerë aeroplanët amerikanë “F-35”.

Shitja është rritur edhe nga shtetet që kanë vendosur të mos blejnë armatimin rus.

Administrata e presidentit Joe Biden ka argumentuar se përkrahja amerikane për Ukrainën ka ndihmuar në forcimin e ekonomisë nëpërmjet shitjeve të armëve.