“SHBA dhe BE kanë hequr dorë nga marrëveshja me njohje në qendër, tani synojnë stabilitetin”

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë kanë konsideruar se plani evropian është pasojë e dështimit të negociatave Kosovë-Serbi në Bruksel. Sipas tyre, ky plan ka për qëllim stabilizimin e tensioneve mes të dyja vendeve, por jo edhe njohjen reciproke.

Kështu është shprehur për Ekonomia Online, profesori universitar, Milazim Krasniqi,i cili tha se tanimë është hequr dorë nga politika e mëhershme e BE-së dhe SHBA-së për një marrëveshje që ka njohjen në qendër.

Ai ka thënë se edhe insistimi i ndërkombëtarëve për ta pranuar planin franko-gjerman, ka ardhur si pasojë e dështimit të dialogut dhe rrezikut për eskalim të situatës në Ballkan.

“Plani franko-gjerman ka ardhur si pasojë e një procesi të vështirë dhe të dështuar të negociatave në Bruksel. Është tentuar deri tash që nga viti 2011 e këndej të gjendet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me idenë themelore që të kishte njohjen e Kosovës nga Serbia, por i gjithë ai proces ka dështuar tashmë, edhe në sfondin e luftës që po ndodh në Ukrainë edhe të rrezikut për destabilizim të madh të Ballkanit”.

“Tashmë kjo iniciativa franko-gjermane insiston që të arrihet një marrëveshje e cila synim të parë e ka deeskalimin e situatës dhe pastaj krijimin e një paqeje që përjashton influencën ruse. Pra, insistohet një marrëveshje pa njohje, kjo do të thotë që është hequr dorë nga politika e mëhershme e Shteteve të Bashkuara që insistonin që njohja të ishte në qendër të marrëveshjes”, ka thënë ai, për EO.

Tutje, Krasniqi ka pasur kritika edhe ndaj Bashkimit Evropian për ta shtyrë procesin përpara, duke përmendur edhe  pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin ende Kosovën.

“Kjo normalisht që është keq, është e disfavorshme për Kosovën. Kjo është edhe pasojë e paaftësisë së Bashkimit Evropian për ta shtyrë procesin përpara. Dështimi i Bashkimit Evropian është edhe për arsye se pesë shtete të Bashkimit Evropian nuk e njohin Kosovën dhe kanë politikë të pa balancuar në raport me Kosovën. E gjitha ka dështuar dhe tash kemi në tavolinë një plan që nuk e ka njohjen brenda por e ka vetëm synimin e krijimit të një paqeje, e cila përjashton rrezikun e konfliktit”.

Sipas Krasniqit, dalja e serbëve nga institucionet ka bërë që Kosova të gjendet në një status-quo dhe për kthimin e tyre duhet një ofertë politike.

“Ne momentalisht jemi në një status-quo që i riciklon krizat. Jemi në një gjendje ku serbët kanë dalë nga institucionet dhe nuk kthehen pa një ofertë politike, prandaj çështja është që për të dalë nga status-quo duhet të hyjmë në proces politik”.

“Procesi politik e ka këtë ofertë, pra planin franko-gjerman dhe se çka del në fund, momentalisht nuk e dimë askush, por ajo që mund të supozojmë është që bëhet më mirë se sa që është, sepse gjendja e tashme është gjendje e një konflikti të ngrirë dhe konflikti i ngrirë në çdo çast mund të shndërrohet në konflikt të armatosur, prandaj ky angazhim i Washington-it dhe Brukselit është në kuptimin që të shmanget rreziku i konfliktit dhe që të gjendet një zgjidhje sipas të cilës edhe Kosova edhe Serbia hapin rrugën e integrimit evropian”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa analisti politik, Blerim Burjani, tha për EO, se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë në “konfuzitet të plotë” e se “asgjë nuk është e qartë”.

Burjani, mes tjerash, tha se kryeministri Kurti nuk e ka prioritet Asociacionin por planin franko-gjerman dhe se qëllimi i tij është ta shtyej sa më shumë procesin e formimit të tij.

“Kryeministri i Kosovës e ka deklaruar publikisht që e pranon planin franko-gjerman. Ai e ka dhënë mendimin e tij që nuk është problem për diskutim por jo edhe për pranim përfundimtar pasi që ai ka gjashtë pika të veta të propozuara. Ajo çka i intereson atij është me i shpëtua Asociacionit. Realisht nuk e përkrah atë, por nuk e ka ndërmend as me dhënë dorëheqje por qëllimi është me ndejtë në pushtet e me shty procesin sa të mundet kështu. Nuk është temë prioritare e tij Asociacioni, por është plani franko-gjerman”.

“Për momentin Kosova dhe Serbia janë në një konfuzitet të plotë, nuk është asgjë e qartë. Pa marrë parasysh që në Kosovë flitet shumëçka nuk është situata shumë e qartë sepse ata e presin dokumentin me ndryshime dhe plotësime. Kur ta marrin edhe komentin franko-gjerman ata pastaj vendosin çka heqin e çka qesin dhe vendosin si pika të reja”.

Burjani si faktor shumë të rëndësishëm ka cilësuar faktorin ndërkombëtar, presionin e të cilëve e sheh si thelbësor për t’u arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi.

“Pra, është një rezultat me kompromise që mund ta bëjnë dhe mbi të gjitha është faktori ndërkombëtar i cili duhet me ushtrua një presion të madh ndaj tyre për me arritë zgjidhje. Përndryshe Serbia nuk është për zgjidhje finale dhe as ky plan nuk ka të bëj me zgjidhje finale por ka të bëjë me një zgjidhje paraprake, si e kam quajtur edhe para një viti – tranzicionale. As atëherë as tash nuk besoj në zgjidhje përfundimtare pasi që Serbia nuk e do, ata e mendojnë statusin derisa Kosova e mendon normalizimin teknik. Nuk është e njëjta, ata mendojnë krejt diçka tjetër, këta plotësisht diçka tjetër”, ka thënë ai.