Shasha e Miftaraj kërkojnë masa më strikte dhe zbatim më rigoroz të masave anti-COVID

Analistët mendojnë se në Kosovë duhet të ketë zbatim më të mirë të masave anti-COVID, ndërsa shprehen se një gjë e tillë nuk po ndodhë edhe aq fort në vend.

Demush Shasha i Institutit Epik e sheh të qartë zgjidhjen për situatën në vend për shkak të koronavirusit. Ai tha se duhet të kufizohet lëvizja që të ketë parandalim të përhapjes së virusit.

“Unë përkrah shtrëngimin e masave, kisha pritë zbatim më rigoroz të masave e në veçanti rolit të inspektoratit. Gjërat janë të qarta se çfarë duhet të ndodhë, e para kufizo lëvizjen në Kosovë, mundohu të ndalosh përhapjen, nuk ke vaksina prandaj e bën më të rëndësishëm kufizimin e lëvizjes. Po shihet qartazi nevoja për ashpërsim të zbatimit të masave. Nëse ekziston nevoja për një plan, nevoja më emergjente është rishikimi i buxhetit dhe ligjit për rimëkëmbje”, tha ai në KTV.

Ehat Miftaraj i IKD-së ka përmendur fushatën parazgjedhore të partive politike në Kosovë dhe tubimin e mijëra qytetarëve. Ai shtoi se qytetarët duhet të kenë besimin në institucione dhe se masat duhet të jenë më strikte.

“Qytetari duhet të ketë besim në institucione. Nëse nuk i beson masave të qeverisë, nuk është se i respekton masat në parandalimin e pandemisë. Çdo masë që e cakton qeveria duhet të ishte më strikte dhe më kufizuese që ta kufizojë këtë sëmundje. Kosova është vend shumë i vogël që t’i ketë 12 vdekje brenda 24 orëve”, tha ai.