Udhëtimi në Beograd
Shaqiri nuk e ka problem përballjen me Crvena Zvezdën
Xhedan Shaqiri ka thënë se nuk ka për çfarë të brengoset para ndeshjes së Liverpoolit me Crvena Zvezdën muajin e ardhshëm.
Futbollisti shqiptar që reprezenton Zvicrën ishte dënuar gjatë Kampionatit Botëror për shkak të festës me shqiponjë pas golit të shënuar ndaj Serbisë në fitoren 2-1.
Shaqiri ishte pjesë e formacionit startues në sfidën e parë kundër klubit serb që u zhvillua në “Anfield”, gjersa pritet një atmosferë e ndryshme kur “The Reds” do të udhëtojnë drejt Beogradit, megjithatë sulmuesi nga Zhegra është i përgatitur për këtë.
“Jam përballur me këtë situatë edhe në Kupën e Botës, kështu që mund ta përballoj. Nuk më intereson çfarë njerëzit mendojnë. Unë shkoj vetëm të luajë futboll, nuk ka të bëjë me politikën. Nuk shqetësohem për asgjë”, tha Shaqiri.
Liverpooli e kryeson grupin C me 6 pikë pas tre xhirove të zhvilluara, ndërsa Crvena Zvezda përmbyll rradhitjen me 1 pikë të grumbulluar.