Xherdan Shaqiri pohon se dëshira e tij para shortit të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve kishte qenë që Liverpooli të shortohej me Bayernin, në mënyrë që të ketë rast të luajë kundër ish skuadrës së tij.

Reprezentuesit të Zvicrës, Xherdan Shaqirit, iu plotësua dëshira, pasi Liverpooli do të ballafaqohet me gjigantin gjerman Bayern Munich në 1/8 e finales.

Ndeshja e parë do të zhvillohet të martën në “Anfield”.

Shaqiri, i cili i kaloi dy vite e gjysmë te Bayerni, nga 2012 deri më 2015, mezi pret të përballët me një klub me të cilin fitoi shumë trofe.

27-vjeçari nga Kosova tha për faqen zyrtare të Liverpoolit: “U gëzova për shortin sepse dëshira ime ishte të luaj kundër Bayern Munichut, kundër ish bashkëlojtarëve të mi dhe ekipit tim të vjetër. Mezi e pres ndeshjen”.

“Në Bayern kalova një kohë të mahnitshme. Atje isha për dy vite e gjysmë, të cilat ishin madhështore: fituam shumë trofe, e fituam Ligën e Kampionëve. Ekipi ynë ishte më i miri që Bayern Munichu ka pasur ndonjëherë”, shtoi ai.

Shaqiri ishte pjesë e skuadrës së Bayernit që e pushtoi Evropën në sezonin 2012-13, kur e fitoi edhe tripletën.