Shaqiri megjithatë do të qëndrojë te Liverpooli

Një rikthim i madh ka ndodhur në qasjen e Liverpoolit lidhur me situatën e Xherdan Shaqirit në klub. Është pritur që ylli shqiptar i futbollit të largohet nga kampioni anglez në verë, por ai megjithatë pritet të qëndrojë.

Këtë e ka bërë të ditur gazeta e madhe zvicerane, Blick, që ka cituar sajtin The Athletic.

Shaqiri deri më tani nuk ia ka dalë të fitojë “luftën” për vend në ekipin bazë me yjet si Salah, Mane e Firmino. Këtë edicion ka luajtur rol fare të vogël në skuadër për shkak të lëndimeve. Ka luajtur 176 minuta në Premier League, tre minuta në Ligën e Kampionëve dhe 11 minuta në ndeshjet për kupë. Të gjitha shenjat, sipas Blick, janë për largimin e tij. Newcastle United, Sevilla, Roma dhe CSKA Moska kanë shprehur interesim për të.

Por Juergen Klopp dhe drejtuesit tjerë të Liverpoolit kanë ndërruar mendje. Shaqiri pritet të qëndrojë te Liverpooli.

Liverpooli ka synuar të fitojë dyfishin e shumës që e kishte ndarë për të transferuar Shaqirin, nga shitja e tij. Por për shkak të krizës së krijuar nga pandemia, ajo shifër është e pamundur të realizohet.

Po ashtu drejtuesit e Liverpoolit nuk pritet të investojnë shumë para për transferime dhe sjellja e yjeve të rinj duket e pamundur. Kështu Shaqiri dhe lojtarë tjerë, duke përfshirë disa të huazuar, do të kenë rastin sërish.