Seancë

Shala për zgjatjen e masave emergjente në energji: Qeveria po e keqpërdor ligjin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim me sektorin e energjisë.

Sipas tij, ekzekutivi nuk po bën asnjë veprim konkret, për ndryshimin e gjendjes në këtë sektor.

Ai këto komente i bëri në seancën e Kuvendit ku u shqyrtua vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë, duke shtuar se Qeveria po e keqpërdor ligjin.

“Neni 25 i cili po keqpërdoret i ligjit për energji e jep mundësinë e shpalljes së jashtëzakonshme. Por, aty janë nenet pasuese për moskeqpërdorim të gjendjes. Aty thuhet se kur kuvendi e vlerëson që ministrja dhe qeveria nuk po gjejnë zgjidhje hyn në fuqi pika 4 e nenit 25. Aty thuhet se Ministria pas marrjes së masave ka obligim nxjerrjen e akteve ligjore për krijimin e legjislacionit sekondar, por asnjë veprim nuk është marrë deri më tash nga Qeveria në këtë drejtim, vetëm shpallje te gjendjes emergjente dhe asgjë tjetër”.

“Nuk mundemi pa kufi me bë një papërgjegjësi menaxhuese e politike qeveritare. Qeveria e ka për obligim me gjetë zgjidhje”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Qeveria po e keqpërdor ligjin që i mundëson shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Duke iu drejtuar ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deputeti i PDK-së ka pyetur se ku është strategjia energjetike.

“E nderuara ministre, ku është strategjia? Na ke premtuar nga marsi. Na ke mashtruar neve, por edhe kryeministrin. Si ka mundësi që kryeministri po thirret në një strategji që nuk ekziston?”.

“Çka po ndodh? Cilat masa i ke marrë me B2-shin? Cilët hapa i ke ndërmarrë? Asnjë. Prodhimi në termocentrale ka rënë. Ku mbeti udhërrëfyesi për energjinë?”, është shprehur tutje ai./EO