Shala pas takimit me Osmanin: Nisma s’ka vija të kuqe për asnjë parti, fillimi i shkurtit ideal për zgjedhje

Deputeti i NISMA-s, Endrit Shala pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka deklaruar se fillimi i shkurtit do të ishte ideal për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ai tha se para se të caktohet data është mirë që Kuvendi ta votojë buxhetin për vitin 2021.

“Kërkuam nga u.d. që kurdo që të caktohet data e zgjedhjeve, që të gjitha subjektet politike të dakordohen që të thirret një seancë që të votohet buxheti i vitit 2021. Fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Shala.

I pyetur për mundësinë e ndonjë koalicioni parazgjedhor, Shala ka thënë se partia e tij nuk ka vija të kuqe me asnjë parti.

“Organet e NISMA-s janë duke diskutuar, qëllimi është që NISMA të garoj e vetme në zgjedhje, por pas caktimit të dates së zgjedhjeve do të vendosin nëse do të ketë ndonjë koalicion. Nuk kemi vija të kuqe me askënd”, tha ai.

I pyetur se a do të shkrihet NISMA në ndonjë parti, Shala e ka mohuar këtë gjë.
“NISMA nuk do të shkrihet asnjëherë në asnjë subjekt politik”, tha ai.