Shala: Lodrat që janë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve nuk shiten më në tregun e Kosovës (Video)

Lodra të cilat janë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve nuk shitën më në tregun e Kosovës. Kështu ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala në një intervistë për emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com.

Sipas tij, për shkak të mos përmbushjesh së kritereve teknike e kimike janë asgjësuar më shumë se 17 mijë njësi të lodrave të fëmijëve.

“Kanë qenë mbi 17 mijë njësi të lodrave dhe njëkohësisht nga ajo kohë deri më tani, janë mbi 18 kontingjente me lodra të tilla të cilat janë asgjësuar. Do të thotë janë ndaluar të hyjnë në tregun e Kosovës dhe vazhdojnë ende tash e tutje nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati që ato lodra të mos hyjnë në territorin e vendit”, tha Shala.

Deklaratën e ministrit Shala rreth lodrave për fëmijë mund ta ndiqni nga minuta e 1:25 e intervistës.

Sipas tij, Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë pas disa informatave dhe pas disa analizave të bëra për produktet të lodrave të cilat janë tregtuar në Kosovë, në një vend të Bashkimit Evropian, ka vërejtur se disa lodra nuk i plotësojnë kriteret për tu shitur në treg.