Për të gjithë ata që kanë pasur dyshime, më lejoni të ju konfirmoj edhe njëherë se NISMA Socialdemokrate e ka kaluar pragun zgjedhor.
Deri tani ka 5,5%, të votave dhe këtë fakt e vullnet të qytetarëve nuk mund ta ndryshojë më askush, madje as KQZ-ja, e cila duke mos vepruar në përputhje me ligjin po rrezikon prishjen e procesit zgjedhor, duke tentuar t’i pranojë si të rregullta disa zarfa me kinse vota brenda, e të cilat erdhën me paketa nga Serbia, dhe të cilat u vendosën në një postë të Prishtinës, prandaj KQZ po bën shkelje ligjore.
Të gjithë e dimë se ato vota janë sjellë me makinë e më pas janë futur në një postë, dhe mbyllja e syve kundër një veprimi të tillë anti ligjor është krejtësisht jo parimor. Kjo gjë është e jashtëligjshme dhe këtë gjë e di edhe vetë KQZ.
Tentimi për ta lejuar një shkelje të tillë, duke u munduar ta dëmtojnë posaçërisht Nismën Socialdemokrate dhe koalicionin tonë, ta dëmtojnë vullnetin e mbi 40 mijë qytetarëve të Kosovës, është i papranueshëm.
Ne ishim dëshimtarë edhe të problemeve shëndetësore që pësuan mbi 20 punëtorë të KQZ-së si shkak i këtyre votave.
Mos reagimi i KQZ-së për këtë është shqetësuese, ndërsa tentimi për t’i vlerësuar si të rregullta këto vota është alarmuese.
Vullneti i qytetarëve as nuk mundet e as nuk guxon të ndryshohet.
Koha është që KQZ të dal publikisht dhe ta ndalojë këtë veprim skandaloz e të pa pranueshëm!







