Shala: Kontratat njëburimore që VV i konsideronte gjakderdhje financiare, janë bërë rregull i qeverisë

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala beson që Qeveri Kurti është më e dobëta që e ka pasur Kosova ndonjëherë. Ai ka kritikuar qeverinë për kontratat njëburimore, që VV në opozitë, ka thënë ai, i konsideronte burim të gjakderdhjes financiare.

Siç ka thënë Shala, përkundër mungesës së punës në këtë qeveri, ai nuk mund të thotë që s’ka korrupsion.

“Po s’punove, nuk ke si korruptohesh. Por korrupsion është edhe një procedurë e prishur me qëllim përfitimi. Në këtë rrafsh, nuk mund të them që s’ka korrupsion”, ka theksuar ai në emisionin Pressing në T7.

Shala ka thënë se kontratat burimore janë bërë rregull i qeverisë.

“Po ashtu, ju i dini edhe kontratat burimore, të cilat vërtet janë të ligjshme. Por këta, njerëz kur përfaqësonin opozitën, mendonin si burimin kryesor të gjakderdhjes financiare, janë rregull në qeverinë e tyre”, ka deklaruar ai.