Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala me rastin e Ditës Botërore të Akreditimit, tha se akreditimi, por edhe standardizimi dhe metrologjia kontribuojnë në zhvillimin ekonomik përmes reduktimit të kostove të tregtisë dhe të bërit biznes.
“Dita Botërore e Akreditimit thekson rolin e akreditimit në shtimin e vlerës në zinxhirët e furnizimit. Akreditimi, së bashku me shtyllat tjera të infrastrukturës së cilësisë siç janë standardizimi dhe metrologjia, janë një mjet i pranuar gjerësisht që kontribuon në zhvillimin ekonomik përmes reduktimit të kostove të tregtisë dhe të bërit biznes, duke mundësuar integrimin e bizneseve në zinxhirët global të furnizimit si dhe ngritjen e besimit në mes të partnereve në biznes”, tha ministri Shala.
Sipas ministrit Shala zhvillimi ekonomik në përgjithësi dhe zhvillimi i sektorëve të infrastrukturës së cilësisë në veçanti janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova.


“Adresimi i këtyre sfidave është prioritet i im gjatë këtij mandati qeverisës në krye të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. MTI është e përkushtuar të ndërtojë dhe zhvillojë një sistem efikas, të qëndrueshëm dhe në përputhje me praktikat e mira në ngritjen e infrastrukturës së cilësisë dhe sektorëve tjerë të cilët kanë impakt në ekonomi. Ne po punojmë në vendosjen e drejtë të kritereve dhe standardeve teknike për produkte dhe shërbime, të përcaktuara me marrëveshje tregtare dhe legjislacion të harmonizuar të BE-se si dhe krijimin e mekanizmave adekuate dhe me kompetencë për zbatimin e tyre.

Kjo do të mundësoj ngritjen e konkurrueshmerisë në tregun vendor dhe të jashtëm, eliminimin e barrierave tregtare, të siguroj mbrojtjen e jetës dhe shëndetit për konsumatorin si dhe të ofroj një mjedis më të sigurt duke u bërë pjesë e integruar e organeve ndërkombëtare”, tha ministri Shala.
Shala bëri të ditur se fusha e Akreditimit është përfshirë si njeri ndër komponent kryesore në projektin Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport, projekt i cili realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që ka një vlerë prej 14.3 milionë euro. Ai ka shtuar se me këtë synojnë që të krijohet Qendra Kombëtare e Cilësisë.
“Fusha e Akreditimit është përfshirë si njëri ndër komponent kryesore në projektin Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport, projekt i cili realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që ka një vlerë prej 14.3 milionë euro. Ky projekt, nder tjera, ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit dhe njohjes ndërkombëtare të Infrastrukturës së Cilësisë në përgjithësi, dhe Akreditimit në veçanti. Me këtë synojmë që të krijojmë Qendrën Kombëtare të Cilësisë”, tha Shala.







