Shakaja e Ramës për Mustafën s’doli nga hiçi, kryetari dhe ish-kryetari s’ia çojnë mirë prej kohësh

Dy ditë pasi e kishte fituar garën e balotazhit për kryetar të Prishtinës më 14 nëntor, Përparim Rama besonte se ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do ta kishte nderin të fotografohej me të. Nuk dihet nëse edhe atëherë Rama bëri shaka, por ai qesh sa herë që pyetet për të, raporton Gazeta Express.

Mbrëmë, Rama në një emision pyeti se “cili është Isa Mustafa?”, pasi iu përmend ish-kryetari i LDK-së, i cili në replikë, tha se kryetari i ri i Prishtinës është ende në muajin e mjaltit.

Rama, në një intervistë për “Kallxo”, më 16 nëntor ishte pyetur se pse nuk e ka asnjë fotografi me Mustafën. Ndonëse s’kishte shumë kohë që Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë më të vjetër në vend, ai që garonte nën sloganin e këtij subjekti politik pak muaj më pas pati thënë se Mustafa nuk ishte më kurrgjë.

“Nuk është kurrgjë ai, nuk është në struktura, a po? Nuk kam problem me pasë fotografi me askënd, me askënd. Mundet me u fotografu me mua kush të ka qejf”, kishte deklaruar Rama.

Kryetari i sapozgjedhur i kryeqytetit, megjithatë e kishte dhënë një hipotezë, në përgjigjen se pse s’e kishte asnjë fotografi me Mustafën. Edhe kjo, me një dozë talljeje.

“Qe s’më ka ra rasti. S’e ka pasë nderin. Ndoshta që ka dalë fillimisht kundër meje, a di, që ka thënë është dashtë me qenë dikush tjetër, e jo unë. Ndoshta për atë”, kishte thënë Rama.

Mustafa, e ka porositur kryetarin e ri të Prishtinës që të fillojë të punojë, pasi ky i fundit nuk mbeti pa u përgjigjur, kur u përmend ai të shtunën në emisionin “Oxygen”.

“Cili, cili është? Niva që është njëfarë këngëtari, qashtu e ka emrin”, tha Rama duke qeshur, e shtoi më pas se “shefi jem është qytetari i Prishtinës”.

Si kryetar, Rama tha se u ka borxh vetëm qytetarëve, ndërsa për këtë deklaratë, moderatori i emisionit, Besim Dina ia dhuroi një përqafim.