Shaip Kamberi e bën të “shkumojë” Vuçiqin: A do të flisje kështu në Prishtinë apo në Tiranë?

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka mbajtur një fjalim me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re.

Kamberi ka thënë se në Serbi ka sistem totalitar ku presidenti është edhe kryeministër, edhe Qeveri, edhe Parlament.

Kamberi, madje ka thënë se një parlament të tillë nuk e kishte prodhuar as Sllobodan Millosheviqi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar menjëherë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Do të pyesja ty Shaip, a do të ishte lejuar dikush i yni të flas kështu në Prishtinë apo Tiranë. Kamberi ka kërkuar post ministror me 0.5% të votave, por i ishte ofruar vetëm pozita e zëvëndësministrit. Jam i kënaqur dhe krenar që Serbia është kaq demokratika dhe dikush mund të flasë kështu në Parlamentin e një shteti demokratik”, ka thënë Vuçiq, transmeton Ballkani.info.

Shaip Kamberi ka thënë se është ky Kuvend nuk dallon shumë nga ai i Millosheviqit.

Sipas tij është trishtuese një opozitë me vetëm 6 deputetë.

“Serbia është sot problem para së gjithash për vetë serbët. Një Serbi që nuk u demokratizua as me rënien e monizmit, kur u rrëzua Ivan Stambolliqi i vrarë më vonë nga eksponentët e strukturave shtetërore të sigurimit. As me rënien e Millosheviqit më 5 tetor 2000, që i parapriu vrasjes së Zoran Gjingjiqit, ku urdhërdhënësit e këtij atentati jetojnë sot të lirë, sepse në heshtje konsiderohen heronj“, ka thënë ai.

“Ndryshe nga kryeministrja, parlamenti është i ri. I veçantë. Se opozita e vetme parlamentare është grupi i deputetëve të Luginës së Bashkuar dhe SDA-Sanxhakut. Kush do ta kishte menduar se një ditë, opozitën parlamentare në Serbi do ta përfaqësonin vetëm deputetët shqiptarë e Luginës së Preshevës dhe boshnjakë të Sanxhakut?

Një opozitë me 6 deputetë prej 250. Trishtuese. Një parlament të tillë nuk e prodhoi as Sllobodan Millosheviqit”, tha ai.