Kosova po vazhdon me sanksione ekonomike duke vendosur taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake për çdo produkt që eksportohet në Kosovë.

Bizneset e Kosovës e kanë pritur mirë këtë lajm duke e parë si mundësi fuqizimi për rritjen e prodhimtarisë nga kompanitë prodhuese në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini tha për Ballkani.info se ky vendim është shumë i guximshëm dhe i faborshëm për kompanitë vendore. Sipas tij ky vendim do të jetë në disfabor të ekonomisë serbe e në fabor të ekonomisë kosovare.

“Aleanca Kosovare e Biznesit e vlerëson vendimin e Qeverisë së Kosovës si të guximshëm, të mirë në fabor të zhvillimit ekonomik dhe prodhues të vendit dhe në disfabor të ekonomisë së Serbisë duke e gjunjëzuar Serbinë që të respektojë marrëveshjet e arrituara ne Bruksel. Kjo është një mundësi e madhe e ekonomisë sonë. Tani prodhuesit vendor duhet të ofrojnë më shumë prodhim dhe shërbim, cilësi të mjaftueshme dhe sasi të mjafueshme në mënyrë që raftet të zëvendësohen nga produktet serbe në ato vendore, dhe kur të zëvendësohen më nuk tërhiqen. Mbi 400 milionë import nga Serbia është një dëm I madh për ekonominë serbe dhe kjo e fuqizon ekonominë vendore”, tha ai

Rreth inflacionit eventual, Shahini tha se indikatorët flasin se diçka e tillë nuk do të ndodhë pasiqë inflacioni varet nga ekonomia e brendshme ‘jo’ nga importimet serbe.

“Për fat të mirë inflacioni nuk varet nga Serbia. Indikatorët e rritjes së inflacionit apo uljes janë nga ekonomia e brendshme, nga Bruto Produkti Vendor që ne do ta zëvendësojmë nga vendet e rajonit që kemi raporte të mira politike, ekonomike, kulturore, sportive dhe shkencore dhe nuk ka shanca që inflacioni të rritet nga një bllokadë e tillë, përkundrazi”, theksoi Shahini.

Më tutje, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, potencoi se rritja e çmimit të bukës nuk është rezultat i sanksioneve ekonomike ndaj Serbisë, por disa tregtarë po përfitojnë nga situata
Ai ka bërë apel që të mos rriten çmimet duke dëmtuar konsumtorin, por ta fuqizojnë vetën nga mundësia e krijuar.

“Politikat prodhuese në Kosovë relativisht janë të mira, vendet siç jane Maqedonia dhe Shqiperia ne i kemi tarifat tatimore të njëjta sepse jemi në marrëveshjen e CEFTA-së dhe kjo nuk do të ndikojë në rritje të çmimeve dhe kjo ështe një indikator i fort që nuk do të ketë rritje çmimesh. Rritja e çmimit të bukës nuk është pasojë e takses por e disa tregtarëve për ta rritur fitimin e vet. Dhe ne ju bejmë thirrje bizneseve si Aleancë e Bizneseve që të mos e shfytezojnë këtë situatë për ta dëmtuar konsumatorin, por për ta fuqizuar veten nga mungesa e produkteve serbe”, përfundoi Agim Shahini.

Kosova ka vendosur taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake duke përjashtuar disa brende globale. Bashkimi Europian(BE) ka vazhduar me presion ndaj Qeverisë së Kosovës për ta tërhequr vendimin e sanksioneve ekonomike ndaj Serbisë. /Ballkani.info/