Kosova-Shqipëria

Sezoni turistik, nis patrullimi i përbashkët rrugor mes Shqipërisë dhe Kosovës

Këtë të hënë të 1 korrikut nisi patrullimi i përbashkët ndërmjet Policisë Rrugore të Shqipërisë dhe Policisë Rrugore të Kosovës.

Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, priti në Morinë, homologun Jeton Rexhepi dhe patrullat e para të Policisë Rrugore të Kosovës që do patrullojnë me kolegët shqiptarë, në Rrugën e Kombit, Lezhë, Shëngjin dhe Durrës.

Drejtorët theksuan rëndësinë e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.

“Shërbimi do të konsistojë kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë, po dhe për menaxhimin e trafikut, pasi në këtë periudhë, siç e përmenda më parë, ka një fluks të jashtëzakonshëm të qytetarëve nga Kosova që frekuentojnë zonat turistike të Shëngjinit, Velipojës dhe Durrësit, prandaj dhe është menduar që këto akse rrugore do të patrullohen nga patrulla të përbashkëta”, tha Qato.

Ai shtoi se përveç se, “do ndikojmë bashkarish në rritjen e parametrave të sigurisë dhe menaxhimin e trafikut, kjo do shërbejë më së miri për të dyja shërbimet tona dhe për shkëmbimin e përvojave, për komunikimin dhe për një njohje më të plotë të metodave dhe praktikave të punës”.

Nga ana tjetër, Rexhepi theksoi se “ne si Polici e Kosovës ndër vite kemi bashkëpunuar dhe kemi ofruar mbështetje, sidomos gjatë sezonit turistik, referuar numrit të qytetarëve, qoftë atyre që kalojnë pushimet në sezonin veror”.

“Mirëpo tani Shqipëria është bërë vizitë ditore e shumë qytetarëve të Kosovës dhe për këtë qëllim do të thotë që bashkërisht të ndikojmë përmes njësive tona patrulluese dhe përmes njësive të përbashkëta, në ofrimin e sigurisë rrugore dhe në rregullimin dhe lehtësimin e qarkullimit, sidomos në ato zona ku ka më tepër ngarkesë në trafik. Kryesisht akset që përmendi drejtori, akset nga Miloti në drejtim të Lezhës, Shëngjinit apo Shkodrës, si dhe pjesa që ka të bëjë me Durrësin”.