Setien: Humbje shumë e dhimbshme

Trajneri i Barcelonës , Quique Setien e ka vlerësuar shumë të dhimbshme humbjen nga Bayerni.

Kampioni i Gjermanisë fitoi 8:2 ndaj Barçës, të premten mbrëma në çerekfinale të Championsit. Skuadra e Setienit ishte plotësisht inferiore në fushë.

“Është humbje shumë e dhimbshme. Bayerni ka shënuar gola më tepër se që ka merituar. Ne kemi filluar mirë, por forca e kundërshtarit, në shumë faza të lojës, na ka tejkaluar”, ka thënë Setien.

Gerard Pique ka thënë se te Barcelona duhet të bëhen ndryshime të mëdha. Por Setien nuk ka dashur të flas për ndryshimet që i duhen skuadrës. Ka thënë se është pak muaj në klub dhe nuk mund të flet për atë që duhet të bëhet.

“Nëse Gerard thotë se është koha për ndryshime të mëdha, atëherë fjalët e tij duhet të kenë vlerë. Është koha për të reflektuar dhe për të marrë vendime që janë të vlefshme për të ardhmen”, ka thënë Setien.

Ai pritet të largohet shpejtë nga Barcelona, që ka dështuar edhe në La Liga.

“Mendoj se është shumë herët të flasim për atë nëse do të qëndrojë. Realiteti është që nuk varet nga unë”.