Me dy ditë vonesë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të distancohet nga gjuha linçuese e Hysen Durmishit, i cili kërkoi arrestimin e gazetarëve për ‘Rastin Dehari”.

“AGK fton këtë subjekt politik të distancohet nga kjo qasje e patoleruar ndaj kolegëve tanë dhe i bëjmë thirrje z. Hysen Durmishit që të tërheq fjalët e tij dhe të kërkoj falje publike”, shkruan në reagim.

AGK publikoi reagimin pasi avokati Arianit Koci denoncoi zyrtarin e Vetëvendosjes, i cili kërcënoi gazetarët me arrestim.

“Linçimi publik i bërë nga zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ndaj drejtorit të televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu, dhe ndaj kryeredaktorit të gazetës online Insajderi, Vehbi Kajtazi, për AGK është shqetësues dhe i papranueshëm. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim të thellë këtë lloj kërcënimi, meqenëse është hera e tretë që reagon ndaj gjuhës së anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar gazetarëve”, shkruan në reagim.

“AGK fton këtë subjekt politik të distancohet nga kjo qasje e patoleruar ndaj kolegëve tanë dhe i bëjmë thirrje z. Hysen Durmishit që të tërheq fjalët e tij dhe të kërkoj falje publike”, thuhet më tej në reagim.

Por, ky nuk është kërcënimi i parë i Hysen Durmishit ndaj gazetarëve, shkruan Ballkani.info.

Ai në vitin 2016 kishte kërcënuar me “tërheqjen zvarrë” të gazetarëve aso kohe.

Mirëpo, një ditë më pas kishte thënë se i ka ra pishman.

Më 11 nëntor të vitit 2016 ai fillimisht kishte shkruar: “Ju media të pushtetit a po mendoni ndonjëherë që i vie fundi edhe këtij pushteti kriminal. I vie fundi edhe këtij pushteti të Klanit Pronto. Do të ju vie fundi edhe juve bashk me ta. Mos mendoni se harrojmë. Më e pakta që duhet ta mendoni është që zvarrë do të nxjerrim e do të ju dërgojmë në burg o kriminel. Mos na lëndoni më shumë o të pështirë. Nuk ju falim kurr kriminel”.

Për këtë postim, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Hysen Durmishi kishte marrë shumë kritika të ashpra.

Dhe një ditë më pas e bëri këtë postim: Ato që i kanë bërë gjatë këtyre ditëve gazeta express, indeksonline dhe Klan Kosova janë të papranueshme dhe të pështira. Statusi im i djeshëm ka qenë nga nervoza dhe edhe mund të kem gabuar që e kam përdorur si simbolikë tërheqjen zvarrë. Natyrisht që unë as nuk kam tërhequr zvarrë askënd e as nuk do e tërheqë zvarrë askënd as në të ardhmen sepse nuk e kam ndërmend të bëhem polic. Ne aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! jemi tërhequr zvarrë, jemi arrestu, jemi vrarë e jemi plagosur nga pushtetet – regjim në Kosovën e pasluftës edhe nën aplaudimin e mediave të pushtetit – regjim. Qëndrimi i nënës heroinë, Xhemile Dehari, mbajtur dje në konferencë për media është qëndrimi im.

Rasti i Astrit Deharit u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Zvicra në të cilën thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje. Kërkohet të bëhet një hetim i ri për të shikuar edhe pista tjera përfshirë edhe përfshirjen e ndonjë personi të tretë në këtë ngjarje.

Raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë dhe as si është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën.

Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm terrorist mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes. Ka vdekur 78 ditë pasi ishte arrestuar derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i aktivistëve të VV’së është kthyer në rigjykim por ende s’është caktuar data. /Ballkani.info/

loading…