Selimi

Sërish refuzohet lirimi me kusht i Sylejman Selimit

Paneli për Lirim me Kusht të enjten ka aprovuar kërkesën për lirim me kusht të Jahir Demakut, ndërsa ka refuzuar atë të ish-gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi. Në vendimin e këtij paneli thuhet se Selimi nuk ka të drejtë të kërkojë lirim me kusht deri në shkurt 2018. Ndërkohë, brenda kësaj jave Gjykata Supreme pritet të marrë vendimin rreth kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë së Selimit dhe Demakut. Kështu ka bërë të ditur për “Zërin” kreu i kësaj gjykate, Enver Peci, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi, nuk do të ketë të drejtë të kërkojë lirim me kusht të paktën deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Kështu është vendosur nga Paneli për Lirim me Kusht, i cili të enjten refuzoi kërkesën për lirim me kusht të Selimit, ndërsa pas rishqyrtimit të kërkesës së Jahir Demakut e aprovoi lirimin e tij me kusht, kërkesë të cilën tre muaj më parë pikërisht ky panel e kishte refuzuar.

Koordinatori i Panelit për Lirim me Kusht Bedri Duraku, duke iu referuar vendimit të Panelit, i ka thënë gazetës “Zëri” se arsyet e refuzimit të lirimit me kusht të Sylejman Selimit janë pesha e veprës dhe koha e mbetur.