Në Beograd është mbajtur protesta e gjashtë nën slloganin “1 nga 5 milionë”, e ogranizuar kundër pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe dhunës që ky pushtet po shkakton nëpër Serbi.

Përveç organizatorit kryesor, aktorit Branisllav Trifunoviq, protesutesve në Beograd u është drejtuar edhe kryetarja e organizës joqeveritare “Lëvizja Evropiane” nga Kosova, Rada Trajkoviq.

Organizatorët kanë kërkuar nga përgjegjësit në Serbi zbardhjen e vrasjës së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq dhe i kanë ftuar qytetarët që më 16 janar në përvjetorin e vrasjes së tij të protestojnë.

Trajkoviq ka vlerësuar se nuk do të ketë asgjë të mirë për Serbinë derisa në pushtet është Aleksandar Vuçiq, transmeton Ballkani.info.

“Ne nga Kosova nuk kërkojmë shumë, ne kërkojmë që serbët, mos t’ju frikësohen serbëve, mirëpo që nga koha kur Vuçiq është në pushtet ne ju frikësohemi serbëve”, ka thënë Trajkoviq.

Ajo ka thënë se Vuçiq e ka pranuar sistemin e drejtësisë së Kosovës si legal dhe legjitim dhe se për këtë duhet t’ia dorëzojë Prishtinës Milan Radojiçiqin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e Ivanoviqit.

“Në Beograd ia kanë bërë poligrafin e drejtësisë. Nuk mundet kështu Vuçiqi, ekstradoja Milanin Prishtinës, mos krijo nga Beogradi shtëpi të sigurisë për kriminel dhe mafi”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vrasja e Oliver Ivanoviqit është dashur të tregojë se jeta e përbashkëta e serbëve dhe shqiptarëve nuk është e mundur, por doli e kundërta.

“Këtë e treguan fqinjtë shqiptarë të cilët erdhën ta përcillnin herën e fundit”, tha Trajkoviq. /Ballkani.info/