Sërgjan Lazoviq

Sërgjan Lazoviqit s’i lejohet mbrojtja në liri, Gjykata vlerësoi se ka rrezik të arratiset

Një muaj paraburgim i ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë serbit Sërgjan Lazoviq, i cili dyshohet për krime lufte ndaj popullsisë civile në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës. Në arsyetimin e vendimit, Gjykata bëri të ditur se ai nuk është lënë të mbrohet në liri, pasi është vlerësuar se ka rrezik që të arratiset

Me pranga në duar e nën përcjellje të Policisë, serbi Sërgjan Lazoviq, që u arrestua të enjten mbrëma nën dyshimin për krime lufte të kryera në fshatin Panorc të Malishevës, u nxor të shtunën para gjykatësit të procedurës paraprake.

Pas seancës që zgjati për disa orë, Gjykata Themelore në Prishtinë e aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale që Lazoviqit t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji. 

Gjykata arsyetoi vendimin, duke bërë të ditur se i pandehuri nuk u la të mbrohej në liri pasi u vlerësua se ka rrezik që të arratiset.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.L. dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, sepse nëse i pandehuri S.L. lihet në liri, i njëjti mund të jetë i paarritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tij dhe në këtë mënyrë mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjatë gjithë kohës sa u zhvillua seanca, para Gjykatës qëndruan familjarë të të pandehurit.

E pas përfundimit të saj, avokati i Lazoviqit, Predrag Milkoviq, shprehu mospajtim me vendimin dhe theksoi se ka ofruar prova të mjaftueshme se klienti i tij nuk ka qenë pjesëtar i Policisë serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Nuk pajtohemi me vendimin e gjykatës. Ne sot kemi sjellë prova të mjaftueshme për të dëshmuar se ai nuk është Sërgjani dhe gjatë krejt këtyre hetimeve shpresoj që do të dëshmojmë se Sërgjani as nuk ka qenë pjesëtar i policisë gjatë kohës së luftës dhe as që ka qenë në rrethinën e Malishevës ose të Klinës gjatë luftës”, ka thënë avokati Milkoviq.

Por, në njoftimin e Prokurorisë Speciale për arrestimin e Lazoviqit është theksuar se hetimet preliminare kanë treguar se gjatë kohës së luftës në Kosovë ai ka kryer krime të luftës ndaj popullsisë civile në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.

Lazoviqi është arrestuar të enjten mbrëma në Leposaviq, nga drejtoria për Krime Lufte e Policisë, në bashkëpunim me agjentët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe me mbështetjen e njësive policore në veri.