Serbia vazhdon me kërcënime | Shefi i ushtrisë serbe viziton forcat e dislokuara afër kufirit me Kosovën

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, ka vizituar një pjesë të Forcave të Armatosura të Serbisë të dislokuara afër kufirit me Kosovën në përputhje me vendimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq

“Dje dhe sot gjatë qëndrimit në terren, gjenerali Mojsiloviq ka zhvilluar një takim me oficerët e lartë më përgjegjës të Ushtrisë Serbe në një komandë të veçantë të Shtabit të Përgjithshëm dhe më pas ka vizituar disa njësi në zonat e dislokimit të tyre. Me këtë rast ai pati një pasqyrë të menjëhershme për stërvitjen dhe gatishmërinë luftarake të njësive të angazhuara të Ushtrisë, Forcave Ajrore dhe Mbrojtjes Ajrore dhe Forcave Speciale të Ushtrisë së Serbisë”, njoftoi Ministria serbe e Mbrojtjes.

Forcat speciale të Ushtrisë së Serbisë, me pajisje luftarake, në pozicionet afër Kosovës – është një nga pamjet e “shkallës më të lartë të gatishmërisë luftarake” të forcave të armatosura serbe, të shpallur më 25 maj, të cilën e ka publikuar Ministria e Mbrojtjes.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë. Shteti i ka përcaktuar vijat e kuqe, po flasim për skenarë, mos e dhëntë Zoti, nëse dikush vret apo dëbon serbët. Atëherë Serbia nuk do të mund të rrinte duarkryq”, tha ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, më 31 maj.

Ai tha për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), ndër të tjera, se ushtria do të jetë në gatishmëri të lartë për sa kohë që ekziston rreziku për sigurinë në Kosovë.

Po atë ditë, ministri e shqyrtoi me udhëheqjen ushtarake situatën e sigurisë, në Rashkë, 250 kilometra në jugperëndim të Beogradit, si dhe vizitoi një pjesë të forcave ushtarake të dislokuara.

Tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë që nga e premtja, më 26 maj. Ato kanë rezultuar me përplasje ndërmjet serbëve lokalë dhe Policisë së Kosovës, si dhe me KFOR-in, për shkak të vendosjes së kryetarëve, të zgjedhur më 23 prill, në objektet komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

“Serbia duhet të zvogëlojë statusin e sigurisë së ushtrisë”, deklaroi, ndër të tjera, Antony Blinken, sekretar amerikan i Shtetit, më 30 maj.

Kjo porosi erdhi pas thirrjeve nga pozitat më të larta në bashkësinë ndërkombëtare, NATO dhe Bashkimi Evropian, për qetësim të situatës, pas lëndimit të dhjetëra qytetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.