Nëse Serbia nuk dëshiron të bllokohet në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por të ecë përpara në aspektin e investimeve dhe lidhjeve politike me Evropën atëherë duhet t’i kushtojë shumë vëmendje asaj që thotë e kërkon Unioni.

Kështu të paktën ka thënë Fiona Hill, ish-drejtoresha për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë në administratën e ish-presidentit, Donald Trump.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën serbe, Hill duke komentuar parregullsitë e shumta në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi ka potencuar se një gjë e tillë është problem i vazhdueshëm jo vetëm në Serbi, por edhe në vende të tjera.

“Serbia duhet të vendos ku dëshiron të shkojë. A dëshiron të jetë përgjithmonë në zonën gri? A dëshiron të shoqërohet vetëm me Hungarinë dhe Sllovakinë? Apo dëshiron të ecë përpara, në një rrugë tjetër, sepse në fund të fundit edhe Serbia e ka lënë veten të pambrojtur ndaj manipulimeve të shumta ruse”.

Ish-zyrtarja e lartë amerikane ka kërkuar që të gjitha vendet evropian të marrin iniciativa dhe të fillojnë t’u kushtojnë vëmendje problemeve të tyre, e të mos presin gjithçka nga SHBA-të.