Serbia sjell vaksina anti-COVID në Kosovë, Rusia e gatshme të dërgojë në Shqipëri

Në ditën kur presidenti i Serbisë ka folur për vaksinat anti-COVID që ka sjell për serbët e Kosovës dhe për gatishmërinë që nëse është nevoja të sjellë edhe për shqiptarët në Kosovë, Rusia, përmes ambasadës së saj në Tiranë, është shprehur e gatshme të sjell vaksinat ruse “Sputnik V”.

Ambasada e Rusisë në Tiranë i ka reaguar zëdhënësit të kryeministrit Rama, Endri Fugës, i cili është shprehur i lumtur me shpërndarjen e vaksinës anti-Covid nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Përmes një postimi në Facebookut, Ambasada ka thënë se Rusia është e gatshme t’i ndihmojë Shqipërisë me vaksinën ruse “Sputnik-V”, e cila ka filluar të shpërndahet në Rusi dhe Argjentinë ndërkohë thotë se edhe 50 shtete të tjera kanë aplikuar për blerjen e saj.

Postimi i plotë:

I nderuar z. Endri Fuga,

Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte (https://rdif.ru/Eng_Index/) është autoruzuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera.
#stopkoronavirus #ndalCOVID19 #SputnikV