Rusia

Serbia-Rusisë: Faleminderit që s’e pranoni Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë takimit me homologun e tij rus Sergey Lavrov, në Moskë, shprehu “shumë lëvdata e falënderime” për Federatën Ruse, pikërisht që ky shtet nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës.

“Ne jemi fort falënderues ndaj Rusisë, kur vije puna te mbështetja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. Përkrahja që na ofroni sa i përket Kosovës, është shumë e rëndësishme për ne. Dhe personalisht të falënderoj ty për mirëkuptimin  dhe ndihmën e madhe  që na ke ofruar, në secilën situatë , kur ne ju kemi kërkuar ndihmë”,tha Daçiq.

Nga ana e tij, Lavrov i cilësoi raportet ruso-serbe të jashtëzakonshme. Në takim u tha se meritë për këtë aleancë kanë presidentët e dy shteteve.

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është ndër presidentët e rrallë që i dërgoi letër uruese për rizgjedhje në krye të Kremlinit, Vladimir Putinit. Ky proces zgjedhor kontestohet nga bota perëndimore. Ndërkohë që janë bërë dy vjet qëkur Rusia ka nisur pushtimin ushtarak të Ukrainës.

“Ne llogarisim që në këtë bisedë, në mënyrë të detajuar do flasim për raportet bilaterale dhe bashkëpunimin në organizata ndërkombëtare. Natyrisht jemi të interesuar të dëgjojmë vlerësimet tuaja për situtën në Ballkan, ku shumë çka është komplikuar. Ne jemi të interesuar që të mos vije deri te ndonjë krizë e re”theksoi Lavrov.

Serbia përkundër thirrjeve të shumta ndërkombëtare, deri tani ka refuzuar që t’i vendos sanksione Rusisë.