Me paralajmërimet se do të përkeqësohet dhe të radikalizohet gjatë javës së ardhshme, është mbajtur në Beograd protesta e gjashtë me radhë kundër pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Protestuesit i kanë paraqitur atij dy kërkesa teksa kanë paralajmëruar që në rast se ato nuk përmbushen, do të nisë një formë tjetër e protestave
Presioni ndaj presidentit populist të Serbisë, Aleskandar Vuçiq është rritur me protestën e re, me të cilën është kërkuar dorëheqja e tij.
Protestuesit e kanë paralajmëruar se protestat e ardhshme mund të radikalizohen nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.
Të premten, protestuesit kanë mbajtur edhe posterët e Vuçiqit dhe kryeministres së tij, Ana Brnabiq, në të cilat ata ishin me uniforma të burgosurish.
Me thirrjet “Vuçiq ik”, udhëheqësit e protestës kanë kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve të sigurisë dhe heqjen e lejes së punës për dy televizione kombëtare, të cilat kanë promovuar kriminelë.
Ata kanë thënë se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre deri javën e ardhshme, protesta do të marrë një tjetër formë. Ata nuk kanë treguar se çfarë përfshin “radikalizmi i protestës”.
Të ftuarit e televizionit serb të pavarur, N1, u pajtuan se zgjedhjet janë më të përshtatshmet për Aleksandar Vuçiqin për momentin dhe se nëse protesta radikalizohet, “do të jetë ekskluzivisht përgjegjësia e tij”.
Lidhur me paralajmërimin për radikalizimin e protestës, psikologu Zharko Koraq tha se kjo mund të pritej, nëse vazhdimisht bëhen kërkesa dhe pala tjetër nuk përgjigjet në asnjë mënyrë.
“Është një kurs logjik, por më i rrezikshmi, sepse çon në një përplasje të një lloji tjetër. Kërkesat nuk janë të pamundura, ato janë të realizueshme. Fakti që Vuçiqi nuk i jep popullit të tij, ai është ai që do radikalizimin. Çdo gjë që çon në këtë do të jetë përgjegjësia e tij. Për shkak të disa deklaratave të tij, nuk e di nëse e sheh vërtet atë që po ndodh në rrugë. Por nuk e di se çfarë të mira mund t’i sjellë ky radikalizëm i protestës, aparati represiv nuk funksionon”, tha psikologu serb.
Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike Slavisha Orloviq vlerësoi se mediat e sotme janë “instrument pushteti dhe manipulimi”. Mirëpo, siç tha ai, ato “teknika spin” si reagim ndaj protestave nuk dhanë përgjigje adekuate, si dhe se disa lëvizje të sjelljes i nxorën gjithnjë e më shumë njerëzit në rrugë.
“Mediat sot janë instrumente pushteti, manipulimi, prodhimi pëlqimi, formësimi shijesh, spin, por më duket se në reagimin e këtyre protestave këto teknika spin nuk dhanë përgjigjen e duhur, si dhe disa lëvizje të sjelljes gjithnjë e më shumë i çuan njerëzit jashtë. Nuk ka zgjedhje pa i hapur mediat për një opinion tjetër, pa kontrolluar procesin zgjedhor”, theksoi ai.
Tamara Tripiq nga Rrjeti për Dialog Demokratik thekson se Aleksandar Vuçiq deri më tani ka përdorur “të gjitha modelet e tij të provuara dhe të testuara të reagimit ndaj një rebelimi”.
“Me retorikën e tij po i rikthehet retorikës së viteve ’90, nuk besoj se kjo i përshtatet as votuesve të tij aktual. Ai tani po llogarit në votat e edukatorëve dhe mësuesve dhe punëtorëve të ndryshëm, por nuk mendoj se asnjëri prej tyre dëshiron këtë lloj tensioni në shoqëri. Ata i besuan atij sepse donin stabilitet, tani nuk ka stabilitet”, tha Tripiq.
Orloviq vlerësoi se serbët jetojnë në një vend ku kryeministrja i drejtohet presidentit si “boss”, dhe se kemi këtë marrëdhënie ku gjithçka zbret në një besnikëri dhe të gjithë kthehen në bot që konkurrojnë për të qenë dashamirës më i madh i shefit.
“Kërkesa e qytetarëve nuk ka përfshirë dorëheqjen e Ana Brnabiqit apo zgjedhjet, ndaj mos ofroni diçka që nuk e kërkojnë. Kjo do të thotë se ne nuk kemi dialog dhe se vazhdojmë të jetojmë në një qytetërim monologjik. Kjo nuk çon në zgjidhje, por vetëm në një rëndim të situatës”, sqaroi profesori i Fakultetit të Shkencave Politike.







