Sllovenia refuzoi pëlqimin për kandidatin e Serbisë për ambasador në atë vend, Zoran Gjorgjeviq, për shkak të “pengesave formale të natyrës së sigurisë”, raporton sot e përditshnja sllovene, Delo.

Serbia më 8 gusht ka kërkuar pëlqimin e Sllovenisë për Gjorgjeviqin përmes kanaleve zyrtare, por sipas informacioneve të Delos, ai nuk do ta marrë atë pëlqim, transmeton Ballkani.info.

Gazeta thekson se nuk ka mundur të merret informacion zyrtar për problemet e dhënies së pëlqimit për Gjorgjeviqin, sepse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane sllovene nuk komenton procedurën për dhënien e pëlqimit për shefat e misioneve diplomatike.

Parimisht, në diplomacinë sllovene, dhënia e letrave kredenciale pason gjashtë deri në tetë javë pas propozimit, me kusht që të mos ketë pengesa procedurale. Këtë e përcaktojnë institucionet kompetente, nga MPJ, policia, autoritetet gjyqësore e deri te shërbimi i inteligjencës dhe sigurisë sllovene, dhe sipas informacioneve, një nga ato institucione ka shprehur një “rezervë formale” ndaj Gjorgjeviqit.

Vuçiq është në shënjestër të kritikave

Sipas nenit 4 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, shteti pritës nuk është i detyruar t’i shpjegojë shtetit dërgues arsyet e refuzimit të pëlqimit.

Në praktikën e vendosur diplomatike, konsiderohet refuzim i kandidatit nëse shteti nuk miraton kredencialet brenda 90 ditëve nga data e paraqitjes së aplikimit.

Gjorgjeviq është anëtar i Partisë Progresive Serbe në pushtet, në karrierën e tij politike ka mbajtur postet e Ministrit të Mbrojtjes Sociale dhe Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa aktualisht është drejtor i kompanisë shtetërore “Posta e Serbisë”.

Lajmi për refuzimin e Sllovenisë për të aprovuar emërimin e tij vjen në kohën kur punonjësit e Postës së Serbisë i dhanë fund grevës disaditore, të pakënaqur me pagat dhe statusin në atë ndërmarrje shtetërore.

Gjorgjeviq ishte shënjestër e kritikave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e kritikoi atë se nuk i dëgjoi zërat e të pakënaqurve.

“Ne kemi problem me drejtorin e asaj kompanie, se çuditem se çfarë po bënte dhe pse nuk i dëgjoi ata njerëz, ata përgjegjës dhe seriozë. Pse nuk i dëgjoi? Pse nuk iu kushtua më shumë vëmendje problemeve të tyre”, tha Vuçiq së fundmi për TV Pink. /Ballkani.info/

​