Serbia mashtron dhe ngrit tensione edhe kur kapet autoambulanca me barna të kontranduara

Një autoambulancë e cila bartte kuti me produkte mjekësore, është ndaluar në Zveçan nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë, të martën, e shoferi i saj është shoqëruar në polici.

Policia ka ndaluar shoferin nën dyshimin se ka qenë duke transportuar produkte mjekësore pa dokumente përkatëse.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se është duke i lënë pacientët në veri pa barna.

Duke publikuar fotografinë e shoferit të arrestuar, Petkoviqi ka thënë se ai ka qenë duke transportuar tretësirë ​​infuzioni nga Qendra Shëndetësore në Leposaviq për në Shtëpinë e Shëndetësisë në Mitrovicë.

Por të gjitha këto i ka hedhur poshtë Policia e Kosovës, pasi ka publikuar informacione zyrtare për ndalimin e autoambulancës që bartte produkte ilegale mjekësore.

“Në vazhdën e luftës kundër kontrabandës në veri të vendit, sot më 02.08.2022 rreth orës 13:30 në fshatin Rudare të Zveçanit, njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Veriu, kanë ndaluar një automjet me të cilin po kontrabandoheshin barna. Automjeti i ndaluar ishte një auto-ambulancë që drejtohej nga D.S., viti i lindjes 1965 në Mitrovicë e me banim në Zveçan. Njësitet policore gjatë kontrollimit të automjetit, të ngarkuar në të, kanë hasur pako me produkte medicionale me banderola të Serbisë. Drejtuesi i automjetit, nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicionale, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore. Policia për rastin ka njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe rasti në koordinim me të është duke u trajtuar nga policia”, njofton policia.