Brenda pak ditësh Serbia dhe kriminelët serbë kryen dy sulme të ndryshme në rajon, njërin në Mal të Zi dhe tjetrin, dukshëm më të rënd dhe terrorist, në Kosovë.
Pas më shumë se një jave pasi kriminelët serbë hapën tunelin deri në depon e Gjykatës së Lartë në Mal të Zi, grupe kriminale serbe sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, shkruan Ballkani.info.
Në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup kriminelësh serbë të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Nga ky sulm i armatosur u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

Pasi shtiu ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur serbë iku dhe u strehua në manastirin e Banjskës, ku i vazhdoi përleshjet me policinë e Kosovës.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues serbë, ndërsa i arrestoi gjashtë të tjerë. Kurse në mbrëmjen e 25 shtatorit në hotelin Banjska janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për armëmbajtje.
Ndërsa, në manastirin e pushtuar nga terroristët serbë policia ka gjetur dokumente të Milan Radoiçiqit, kriminelit të njohur nga lista e zezë amerikane, gjatë bastisjes pas përfundimit të aksionit të policisë së Kosovës. Po ashtu, është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
Ndërkohë, me 11 shtator katër shtetas serbë hapën një tunel rreth 30 metra të gjatë në Mal të Zi, rrugë që të çonte në ambientet e brendshme të Gjykatës së Lartë.
Me 22 shtator autorët që hapën tunelin deri në depon e Gjykatës së Lartë në Mal të Zi u identifikuan dhe të dyshuarit kryesorë janë nga Serbia. Ministri i Brendshëm, Filip Anxhiq, në një konferencë për media bëri të ditur se grupi ka pasur edhe bashkëpunëtorët nga Mali i Zi.
Velko Markoviq (32 vjeç), Milan Markoviq (53), Dejan Jovanoviq (30) dhe Vladimir Eriq (32) nga Serbia dyshohet se kanë marrë pjesë në krim.
Ndaj katër të identifikuarve është ngritur kallëzim penale, por Anxhiq ka thënë se janë së paku edhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë.
Të dyshuarit u larguan nga Mali i Zi më 11 shtator, ditën kur u zbulua se depoja e Gjykatës ishte plaçkitur. Sipas autoriteteve malazeze, gërmimi është bërë në grupe të vogla.
Hapja e tunelit 30 metra të gjatë në depon e Gjykatës së Lartë tronditi Malin e Zi. Sipas institucioneve malazeze, nga depoja janë plaçkitur vetëm disa armë, që kanë shërbyer si prova për raste të ndryshme.
“Ekziston një lidhje e caktuar në mes të kësaj organizate kriminale dhe një personi nga Gjykata e Lartë dhe anëtarëve të një organizate kriminale që qëndrojnë në burgun në Spuzh”, ka thënë Axhiq.
Ministri i Brendshëm ka thënë se tani janë një hap më afër motivit që çoi në gërmimin e tunelit.
Shumica e të identifikuarve kanë një të kaluar kriminale, shtoi Axhiq. /Ballkani.info/







