Serbia kërcënon se i ka pesë tërheqje të njohjeve të Kosovës “në xhep”

Mediat serbe raportojnë sot se Serbia “ka garanci” të forta se pesë shtete që kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë të gatshme ta tërheqin atë, në momentin që presidenti Aleksandar Vuçiq jep sinjalin.

Sipas mediave serbe, të përmbledhura në një tekst nga “B92”, kjo do të ndodhte në momentin që sipas tyre, Kosova shkel marrëveshjen e Washingtonit, ku më 4 shtator 2020 u pajtua që për një periudhë të mos kërkojë anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare, e njëjtë as Serbia të mos kërkojë çnjohje të pavarësisë.

Më herët, presidenti serb Vuçiq deklaroi “se ka informacione” se Kosova do të kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare të drejtësisë. Sipas tij, nëse kjo do të ndodh, Kosova “do të marrë përgjigje të merituar”.

“Përgjigjja nuk do t’iu pëlqejë aspak. Nuk besoj se do të gëzohen me tërheqje të njohjeve, e unë e gjitha që mund të them, është se do të ndodhë”, ka thënë Vuçiq më herët, përcjell B92.