Veriu i Kosovës

Serbia kërcënon indirekt: Po ta ndalim ujin e Ujmanit, tërë Kosova mbetet pa rrymë dhe ujë

Serbët e veriut të Kosovës ka ditë që po protestojnë për heqjen e masës 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Ato po thonë se po përballen me krizë humanitare si mungesë e ushqimeve, por kjo është demantuar disa herë nga Qeveria e Kosovës.

Masa, sipas Qeverisë, nuk i prek qytetarët në asnjë formë.

Për të treguar se serbët e menaxhojnë asetin kryesor të furnizimit me ujë në Kosovë, Liqenin e Ujmanit dhe për të dërguar kërcënim indirekt për Qeverinë e Kosovës, rts e ka realizuar një kronikë nga ky Liqe.

“Njëra nga pikat më vitale për jetën në Kosovës është hidrocentrali i Ujmanit në komunën e Zubin Potokut. Gati 20 ditë kanë kaluar që kur Prishtina e ngriti taksën, ndërsa janë paralajmëruar edhe masa tjera, por hidrocentali rregullisht furnizon si Mitrovicë Veriore, ashtu edhe qytetet tjera në jug të Ibrit”, raporton rts, përcjellë Ballkani.info.

Hidrocentrali i Ujmanit rregullisht bën furnizimin me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës përmes trafostacionit Valaç, të njëjtën sasi të ujit si edhe para taksës nga institucionet e Prishtinës shkon në qytetet e Kosovës dhe në Termocentralin e Obiliq, thuhet tutje në tekst.

“Pa Ujmanin nuk ka furnizim të rregullt jo vetëm të pjesës veriore të Kosovës, por edhe të gjithë qyteteve dhe komunave në jug të Ibrit – Prishtinës, Vushtrrisë, Drenasit, etj”.

Drejtori i kompanisë për furnizim me ujë dhe prodhim dhe distribuim të energjisë elektrike “Ibri”, Sergjan Vuloviq ka thënë se gjithçka ka ndodhur në 19 vitet e kaluara, nga lufta, barrikadat, kidndapimi, por asnjëherë nuk ka pasur ndërprerje të furnizimit me ujë për jugun e Kosovës.

“Ndalja e ujit për jugun e Kosovës do ta shkaktonte katastrofë humanitare. E gjithë Kosova do të mbetej pa energji elektrike, kurse 600-700 mijë banorë do të mbeteshin pa ujë të pijes. Për arsye të tilla sasi e njëjtë e ujit shkon në drejtim të Prishtinës sikur shkonte para vendosjes së taksës drastike”, ka thënë Vuloviq për televizionin publik serb. /Ballkani.info/