Serbia ende vazhdon t’i vuaj pasojat e Betejës së Koshares, ministri serb: Mos të harrojmë çfarë përjetuam atje

Serbia vazhdon ta vuaj ende “Betejen e Koshares” edhe 24 vjet pas humbjes poshtëruese të forcave serbe nga UÇK-ja.

Për të kujtuar ushtarët dhe mercenarët e vrarë në Koshare, sot në Novi Sad është hapur objekti i Shoqatës së Veteranëve serbë me emrin “Koshare”.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili ka thënë se kjo hapësirë ​​do të përdoret për të edukuar të rinjtë për luftimet në Koshare dhe se shpreson që ngjarje të tilla të shmangen në të ardhmen, transmeton Ballkani.info.

“Më vjen mirë që kjo hapësirë ​​përfaqësuese është hapur në qendër të Novi Sadit, në bulevardin Mihajla Pupin përballë Banovinës, dhe që do të ndikojë në harmoninë dhe unitetin e popullit serb. Ky objekt do të jetë një koncept krejtësisht i hapur, ku gjeneratat e reja, të cilët nuk duhet të përjetojnë kurrë atë që kanë përjetuar në Koshare dhe shpresoj se nuk do ta përjetojnë kurrë, do ta kuptojnë se çfarë ndodhi dhe pse ndodhi”, tha Vuçeviq.

Beteja e Koshares u zhvillua nga 9 Prilli vitit 1999 deri më 10 Qershor të atij viti në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe ish Ushtrisë Jugosllave (JNA-së). Beteja u zhvillua në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Është njëra ndër betejat më të përgjakshmet dhe më të suksesshmet e Luftës së Kosovës.

Në këtë betejë Ushtria Jugosllave e humbi kontrollin e kufirit Kosovë–Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e thyer kufirin dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet shqiptare, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati 100 vjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

Në këtë betejë zyrtarisht janë vrarë 108 ushtarë serbë, mirëpo besohet se ky numër është dyfish më i madh duke pas parasysh se në mesin e ushtarëve serbë kishte edhe mercenarë rusë dhe paramilitarë që luftonin kundër UÇK-së. /Ballkani.info/