Nënsekretari i Britanisë së Madhe për Evropën, Leo Docherty, gjatë një vizite në Beograd të mërkurën, dënoi ashpër sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banur me shumicë serbe – ndërsa u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë dhe Serbi që të punojnë së bashku për t’i sjellë autorët para drejtësisë.
“Në Beograd për të promovuar aksionin e Britanisë së Madhe mbi tregtinë, shkencën, teknologjinë dhe sfidat e përbashkëta. Serbia duhet të përdorë ndikimin e saj, pas sulmit të tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës për t’i ulur tensionet dhe për të punuar me Kosovën për të sjellë autorët para drejtësisë”, shkroi Docherty në platformën “X” të mërkurën.
Ndryshe, harku i krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe “hija kërcënuese” e bandave kriminale është zgjeruar edhe më tej, posaçërisht pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ndaj Policisë së Kosovës, ku u shua jeta e një zyrtari policor.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me serbë etnikë nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.
Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin serb në arrati, Milan Radojçiç, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.
Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.
Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe disa të tjerë janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.






