Serbët tentojnë bllokimin e punimeve për ndërtimin e bazës së Policisë së Kosovës në Leposaviq

Serbët tentojnë bllokimin e punimeve për ndërtimin e bazës së Policisë së Kosovës në Leposaviq

Serbët, të nxitur nga Beogradin, kanë tentuar sot të pengojnë Policinë e Kosovës në fshatin Dren të Leposaviqit. Një tentativë e tillë është bërë pasi kanë nisur punimet në rrugën që shpi nga magjistralja e Leposaviqit në drejtim të fshatrave Zasellë dhe Leshak. Qeveria e Kosovës javë më parë ka marrë vendim për shpronësimin e pronës në këtë zonë ku pritet të ndërtohet një bazë e Policisë Kufitare të Kosovës.

Sipas mediave serbe, në vendin e ngjarjes ka dalë i ashtuquajturi kryetar i përkohshëm i Leposaviqit, Zoran Todiq.

“Ka 15 ditë nga ky vendim i kundërligjshëm për shpronësimin e tokave në zonat kadastrale Dren dhe Leshak, për të cilin sot mësuam qëllimet për të cilat është bërë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një baze të Policisë së Kosovës. Sot ka qenë edhe një lëvizje e njëanshme, për të cilën askush nuk na ka njoftuar, janë të pranishme makineritë e rënda të ndërtimit, këta persona që kryejnë punën janë siguruar nga pjesëtarët e njësive speciale të policisë të armatosur deri në dhëmbë. Jam i shqetësuar, i inatosur dhe sot kjo nuk është në favorin e askujt sepse nuk na duhen tensione të reja. Por populli është i vendosur të mos lejojë sekuestrimin e tokave dhe trashëgimisë. Askush nuk është rehat me një njësi policore thjesht shqiptare që qëndron këtu dhe situata është me të vërtetë e vështirë. Ne takuam drejtorin e Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, dhe kemi informacione se për këtë është njoftuar dhe i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Përkundër protestave të vendasve, ata vazhdojnë të kryejnë punime. Sot po punohet për zgjerimin e rrugës që të çon në këtë truall me 83 hektarë sipërfaqe, 13 prej të cilave janë në pronësi të banorëve të fshatit Dren. Gjashtë parcela janë në pronësi shoqërore, ndërsa një parcelë është komunale, në të cilën ka varreza lokale. Në bisedë me nënkolonelin e Policisë së Kosovës, Veton Elshani, kemi përcjellë se banorët e zonës kërkojnë që të ndërpriten të gjitha punimet sepse nuk pranojnë sekuestrimin e pasurisë”, tha Todiq.

Në anën tjetër, nënkolonel Veton Elshani, i cili është edhe koordinator i gjithë këtij aksioni, thotë se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, sot janë këtu për ta zbatuar vendimin e marrë.

“Ky do të jetë stacion policor kufitar, sot biseduam me banorët dhe u thamë atë që dinim. Ata ankohen se një pjesë e varrezave ortodokse është përfshirë në vendimin për shpronësim, por ky është një gabim teknik dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë për këtë”, tha Elshani për portalin serb Kosovo-online.

“Kemi folur sot në mëngjes me njerëzit dhe i kuptojmë, por urdhrat janë urdhra dhe ne respektojmë vendimin e Qeverisë. Nuk ka një numër të shtuar të policëve, siç mendojnë banorët vendas, të cilët janë të dislokuar në kodrat përreth. Numri i tyre është minimal”, ka thënë tutje Elshani.