Shumica e qytetarëve serbë kanë një pikëpamje pozitive për Rusinë dhe Kinën, ndërsa pikëpamjen më të keqe që ata kanë është për Amerikën dhe NATO. Këto të dhëna kanë dalë nga studimi i Institutit Demokratik Kombëtar në Uashington.

Nga rezultatet e studimit për Ballkanin Perëndimor “Ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, i cili është bërë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë, i është drejtuar pikëpamjeve të qytetarëve për Lindjen dhe Perëndimit.

Rreth 60% e të anketuarve kanë qëndrim pozitiv për Rusinë, ndërsa qëndrimi negativ ishte vetëm 11%. Ndërsa rreth 56 % e qytetarëve kanë thënë se kanë një opinion të mirë për Kinën, transmeton Ballkani.info.

Në anën tjetër të spektrit është NATO-ja, për të cilën 83% e qytetarëve janë shprehur negativisht dhe vetëm 4% kanë përshtypje pozitive.

Mendimi i ulët për Amerikën kanë 58% e qytetarëve, ndërsa mendim pozitiv kanë 15%.

Kur bëhet fjalë për BE-në, marrëdhënia në mes të rezultatit pozitiv dhe negativ është 41% me 27 %. Përkrahja për anëtarësim në BE është e lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni, ku rezulton se rreth 70% e qytetarëve janë pro, dhe më së dobëti qëndron Serbia me 45%.

Serbët dhe malazezët besojnë se Rusia është më e fortë se NATO-ja, ndërsa maqedonasit dhe boshnjakët e konsiderojnë aleancën perëndimore më të fuqishmën.

Vetëm 6% e serbëve do të votonin për anëtarësimin në NATO, ndërsa 83% janë shprehur kundër. /Ballkani.info/