Serbët mblidhen në Beograd, thirrje në kor “vritni, vritni shqiptarët”

Në Beograd po mbahet një tubim në mbështetje të, siç thuhet, “vëllezërve tanë nga Kosova e Metohia”.

Në këtë tubim para ndërtesës së Parlamentit të Serbisë, të nisur rreth orës 20:00, po marrin pjesë disa qindra qytetarë serbë, të cilët me flamuj kryesisht serbë e edhe të tillë me hartën e Kosovës brenda së cilës është flamuri serb, po brohorasin thirrje për vrasjen e shqiptarëve.

“Vritni, vritni shqiptarët”, janë thirrjet që dëgjohen në kore nga turma para parlamentit serb.

Po ashtu, në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet se disa persona kanë djegur flamurin kombëtar shqiptar, teksa njëkohësisht thërrasin në kor për “vrasjen e shqiptarëve”. Në videon e publikuar është postuar edhe mesazhi: “Kurse për sa i përket Shqipërisë, nëse kështu vazhdon do të digjet e tëra!”.

Thirrje tjera janë edhe të tilla si “S’ka dorëzim”, dhe këngë nacionaliste serbe për Kosovën.

Tubimi është thirrur pas ngjarjeve të sotme në veri të Kosovës, ku serbët lokalë të atjeshëm sulmuan Policinë e Kosovës pas aksionit anti-kontrabandë. Pati përleshje të armatosur mes huliganëve dhe policisë së Kosovës.